(2L ONLINE) – Të mërkurën në Gjilan është nënshkruar marrëveshja e mirëkuptimit në mes të CDI-së dhe KRU “Hidromorava”, që ka të bëjë me përfshirjen në programin që parasheh rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjeteve të ujësjellësit. Janë mbi 14 milion franga që sigurohen për këtë program në nivel vendi, nga Qeveria Zvicerane derisa edhe Qeveria e Kosovës ka siguruar 8 milion e 750 mijë franga, e ku edhe “Hidromorava”, që operon në komunat Gjilan, Viti e Kamenicë, do ta ketë hisen e saj.
I kënaqur për këtë është parë të jetë Muhamet Suliqi drejtor i KRU “Hidromorava”, i cili eshtë shprehur i bindur se çdo gjë do të shkojë sipas programit, të cilin e ka vlerësuar si tejet të mirë, ku çdo gjë parashihet qartë dhe sigurt dhe se një program i tillë, ku ecët me hapa të sigurt, siç tha ai, “nuk ka se si të mos jep pastaj rezultate të mira”.
Suliqi i cili para pak kohësh ka ardhur në krye të kompanisë për ujë dhe Kanalizim “Hidromorava”, si duket po ecë me hapa të sigurt në ngritjen e performancës së kësaj kompanie dhe se edhe me këtë projekt mund të pritet një avancim i kësaj kompanie që do të përkthehej pastaj edhe në ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarë.
Ai ka lavdëruar jashtëzakonisht shumë qeverinë zvicerane, CDI-në, por edhe donatorët dhe bashkëpunëtorët tjerë, për faktin që kanë qenë përherë të përkushtuara në këtë rajon kur janë në pyetje programet mbështetëse për ujësjellës e kanalizim dhe se në këtë drejtim ka shprehur bindjen e tij se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i CDI-së Alan Brown, udhëheqës i ekipit të Asociacionit të përbashkët Dorsch/CDI ka shprehur kënaqësinë që është sot këtu për të nënshkruar marrëveshjen në fjalë. Ai tha se programi do të sigurojë qasje publike në furnizim me ujë të pijshëm për 320 mijë banorë, më shumë në komunitetet rurale, në të gjithë Kosovën, duke u siguruar sisteme të reja të ujësjellësve, ku aktualisht kanë mungesë, dhe duke rehabilituar dhe përmirësuar sistemet e ujësjellësve ekzistues.
Brown ka bërë të ditur se programi mbështet kompanitë rajonale të ujësjellësve në zvogëlimin e humbjeve të ujit, përmirësimin e mbrojtjes së burimeve ujore, zhvillimin e sistemeve rurale të trajtimit të ujërave të zeza, zhvillimin e sistemit të menaxhimit dhe fusha të tjera të zhvillimit institucional.
Ai ka bërë të ditur se programi mbështetet nga qeveria zvicerane me mbi 14 milion franga dhe qeveria e Kosovës me 8 milion e 750 mijë franga. Rehabilitimi dhe përmirësimi i rrjeteve do të bëhet në 34 komuna në mbarë Kosovën.
Përndryshe, edhe drejtues të tjerë të KRU “Hidromorava” kanë vlerësuar lartë nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e Mumin Morina ,drejtor teknik ka thënë se vlerëson veçmas besimin për rolin që do ta ketë Kompania “Hidromorava” përgjatë realizimit të këtij programi,në hapësirën ku operon kompania. Ai ka pranuar se për realizimin e këtij projekti do të ketë edhe sfida por tyha se beson plotësisht në suksesin e saj. /2L ONLINE/