Sot në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) u bë prezantimi dhe diskutimi i Strategjisë për integrimin e pjesëtarëve të komuniteteve në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Referenca për hartimin e Strategjisë ishin: Deklarata e Ministrit të FSK-së për Politikën e Komuniteteve Etnike e datës 12.10 2016, si dhe Vendimi i Sekretarit të Përgjithshëm të MFSK-së (grupi punues) për hartimin e Strategjisë për integrimin e komuniteteve etnike në MFSK/FSK – 07.11 2016.
Në këtë takim morën pjesë, ministri i FSK-së, Haki Demolli, zëvendësministri Muhamet Latifi, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, gjeneralët: Zymer Halimi dhe Nazmi Brahimaj, ambasadorë dhe përfaqësues të ambasadave, pjesëtarë të Ekipit Këshillues të NATO-s për MFSK/FSK, përfaqësues të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së etj..
Fillimisht, ministri Haki Demolli ri-konfirmoi vlerësimin dhe gatishmërinë e tij dhe të MFSK-së lidhur me punën e palodhshme që është bërë në planin e integrimit të pjesëtarëve të komuniteteve në FSK.
Më tej, ministri Haki Demolli tha gjithashtu se draftimi, aprovimi dhe implementimi i Strategjisë për integrimin e komuniteteve jo-shumicë tregon përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës dhe të MFSK-së si dhe është dëshmi se FSK-ja është e hapur për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh prejardhjen etnike, racore, religjioze apo të kaluarën politike.
Në fund, ministri Demolli tha se qëllimi final i MFSK-së është rritja e numrit të pjesëtarëve nga komunitetet jo-shumicë deri në 10 për, me perspektivë në strukturë dhe rangje, si dhe u zotua se: ,,FSK-ja do të jetë e pranishme me aktivitete edhe më tutje në vendbanimet me komunitetet jo-shumicë, sidomos në ato lokalitete ku komuniteti serb jeton më në shumicë’’.
Ai pos tjerash, tha se FSK-ja ka punuar shumë në drejtim të aplikimit të planifikimeve për integrimin e suksesshëm të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për të shërbyer për vendin, në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndërsa, prezantimin e dokumentit strategjikë për integrimin e pjesëtarëve të komuniteteve në FSK, në emër të grupit punues e bëri shefja e zyrës së Komuniteteve në MFSK, znj. Azemina Çullum e cila tha se vizioni i Ministrisë për FSK është që të krijojmë dhe të mbajmë një forcë shumë etnike me perspektive të fortë dhe të qëndrueshme.
Me këtë strategji, shtoi znj. Çullum, MFSK-ja ka vendosur vizion afatgjatë dhe po tregon gatishmëri dhe vendosmëri që të integrojë, mbajë, zhvilloj dhe motivoj komunitetet jo shumicë në FSK.
Në fund znj. Çullum tha se të gjitha detyrat dhe planet të përcaktuara në këtë strategji do të zbatohen përgjatë tri viteve të ardhshme sipas Planit të aksionit. Njëkohësisht, me angazhim kolektiv, koordinim dhe me respektim të përgjegjësive dhe obligimeve të stafit të MFSK dhe FSK, kjo strategji do të realizohet me sukses dhe do të rezultojë me integrim të qëndrueshëm të komunitetit jo shumicë në FSK.
Dhe krejt në fund, shefja e Departamentit për Komunitete në MFSK, znj. Azemina Çullum tha se MFSK-ja si institucion qeveritar me kë këtë strategji mund të tregojë shembull të mirë dhe të shërbej si model për strategjinë për integrime edhe për institucionet tjera të vendit.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se: ”Ne me veprimin tonë, jemi vërtet model. Fillimisht kemi bërë shumë për me ndërtua besimin, sidomos te komuniteti serb, duke u shprehur i bindur se Strategjia për integrimin e komuniteteve do të jetë program, ndërsa gatishmëria për ta zbatuar dhe angazhimi konkret do të jenë detyrë e vazhdueshme e MFSK-së dhe FSK-së.
Më tej, Komandanti i FSK-së tha se: ,,FSK ka bërë përpjekje në mënyrë të vazhdueshme për të inkurajuar pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve jo shumicë në Kosovë dhe rekrutimin e tyre në FSK.
Gjithashtu, gjeneral Rama tha se: ,,Pjesëmarrja dhe përfshirja e komunitetit jo shumicë ka qenë sfiduese dhe njëra ndër proceset më të vështira në kuadër të integrimit të tyre në FSK deri më tani, por përkushtimi ynë konkret mbetet, që komunitetet jo-shumicë ti integrojmë dhe ky integrim të jetë i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm, duke shprehur përkushtimin se mbi bazën e kritereve dhe standardeve që vlejnë për të gjithë, FSK-ja synon që 10 për qindëshin do ta tejkalojë, gjithmonë duke respektuar standardet e rekrutimit, përfundoi komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Ndërsa, atasheu i Mbrojtjes pranë ambasadës së SHBA-ve, koloneli Jefry Fisher tha se: ”Këtë çka ka bërë FSK-ja, është shembull i mirë edhe për të tjerët’’. Ai tha se: ,, hapi i ardhshëm sfidues është realizimi i këtij plani dhe unë kam besim në udhëheqjen e mirë të drejtuesve të FSK-së.’’
Strategjia për integrim të komuniteteve jo shumicë përcakton qëllimet dhe politikat që do të zbatohen, përmes integrimit të të gjitha aktiviteteve dhe proceseve, për të siguruar realizimin e objektivave dhe qëndrueshmërinë e integrimit të komuniteteve jo shumicë.