Messi shkruan historinë, rrëmben për herë të gjashtë ‘Topin e Artë’Messi e ka fituar ‘Topin e Artë’ për vitin 2019, duke shkruar historinë pasi është bërë futbollisti i vetëm që ka rrëmbyer gjashtë herë këtë çmim, duke e lënë prapa Ronaldon me 5 sosh.
Ai mposhti Virgil van Dijkin, Cristiano Ronaldon e Sadio Manen për ta fituar këtë çmim për herë të gjashtë në karrierë, më shumë se çdo futbollist tjetër në histori.
Ky çmim shkoi për argjentinasin falë një tjetër sezoni magjik, ku në 50 ndeshje në të gjitha garat në edicionin 2018/19, shënoi 51 gola dhe dhuroi 22 asistime.
“Dua të falënderoj gjithë gazetarët që kanë votuar për mua, që donin që unë ta fitoj këtë çmim, faleminderit shumë. Faleminderit edhe lojtarëve, skuadrës sime, kanë kontribuar shumë për këtë çmim që unë kam fituar, i falënderohem vërtetë shumë. Më kujtohet momenti i parë në Paris, me vëllezërit e mi, kur fitova topin e parë, ishte magjike, s’e kisha menduar, sidomos pas u ktheva ta fitojë disa herë”, deklaroi Leo.