/2L ONLINE/ – Shoqata e Mërgimtarëve “Bashkimi Kombëtar” me seli ne Annecy të Francës, ka ndihmuar qytetarët e rajonit të prekur nga vërshimet në Maqedoni. Kryetari i kësaj shoqate Zahir Sinani, ka thënë se mërgimtarët që punojnë në rrethin e Annecy-së së Francës, të prekur thellë nga gjendja e rëndë me të cilën po përballen qytetarët e Hasanbegut të Shkupit, pas vërshimeve të fundit kanë grumbulluar një sasi të mjeteve financiare me të cilat kanë ndihmuar 10 familje të goditura nga këto vërshime.
“Për 10 familjet të goditura nga vërshimet kemi ndarë nga 100 euro, por këto nuk do të jeni ndihma e fundit për këtë rajon që ka pësuar shumë si në njerëz ashtu edhe në ekonomi familjare “, ka thënë Sinani. E, Shaip Behluli, aktivist i shoqatës ka thënë se vetëm ata që kanë pas rastin të vizitojnë këtë rajon pas vërshimeve mund të kenë një pamje më reale me fatkeqësinë që kanë pësuar këta banorë. “Jemi prekur thellë nga gjendja me të cilën po përballen banorët e këtij rajoni, prandaj jo vetëm ne por të gjithë duhet të mobilizohen ta ndihmojnë këtë rajon”, ka thënë Behluli.
Shoqata “Bashkimi Kombëtar” , krahas ndihmës për banorët e Hasanbegut të Shkupit më herët kanë ofruar ndihma edhe për familjet skamnore në Kosovë, ku vetëm në festën e fundit të bajramit kanë ndarë 2 mijë euro përmes katër xhamive në Viti, Podujevë, Ferizaj e Kaçanik. “Pos ndihmave për Kosovë, si shoqatë kemi ndihmuar edhe azilkërkuesit e shumët kosovarë të stacionuar në Annecy, duke u ofruar ndihma në ushqime dhe veshmbathje”, është shprehur Sinani. /2L ONLINE/