Ashtu çfarë ka qenë Ministria e Diasporës, e cila gjithnjë ka vepruar ndaras dhe në çakordim të plotë me MPJ-në dhe asnjëherë në shërbim të mërgimtarëve, por vetëm të grupeve të caktuara të interesit, më mirë që është hjekur fare.
Shkruan: Florim Zeqa
Disa nga diplomatët kosovarë, gjegjësisht ambasadorët dhe konsujt, duke mos pasur asnjë lloj kontrolli dhe përgjegjësie ndaj institucioneve shtetërore, gjegjësisht MPJ-së, kishin filluar të bëhen pjesë e skandaleve të ndryshme financiare.
Si rezultat i mosfunksionimit si duhet i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) dhe të abuzimit me Ministrinë e Diasporës në njërën anë, ndërsa në tjetrën të emërimit të ambasadorëve dhe konsujve jokredibilë të Republikës së Kosovës, të cilëve u mungon përvoja politike dhe diplomatike, ka bërë që të bie imazhi i Kosovës në shtetet respektive.
Pjesës më të madhe të mbasadorëve dhe konsujve diplomatik përveçse u mungon kredibiliteti politik në vendet perëndimore, ata më shumë janë përkujdesur për imazhin dhe xhepat e tyre sesa të mbushin arkën e shtetit dhe të kryejnë shërbimet konsullore për bashkatdhetarët.
Konsujt partiak dhe analfabet, imazh negativ për shtetin
Nuk janë të pakëta rastet, kur në mesin e ambasadorëve dhe konsujve kosovar në vendet e rajonit dhe nëpër vendet euro-përëndimore, janë emëruar militant partiak, analfabet dhe injorantë të skajshëm, të cilët përveqse nuk njohin asnjë nga gjuhët e huaja, çalojnë shumë në të folurit dhe të shkruarit e gjuhës amëtare shqipe!
Si pasojë e kësaj, shpesh kanë ndodhur anomali të llojeve të ndryshme, si bie fjala, lëshimi i dokumenteve të bashkaktdhetarëve me gabime dhe me afat të skaduar!.
Me koston financiare të Ministrisë së Diasporës mund të hapen me dhjetëra përfaqësi të reja konsullore, më afër dhe në përputhje me kërkesat e mërgimtarëve.
Me hapjen e Ambasadave dhe Konsullatave të reja, përveq aspektit diplomatik e ka rëndesinë e madhe të organizimit dhe përafrimit të mërgatës më shtetin amë, të lidhjeve emocionale (shpirtërore) mes mërgatës dhe institucioneve shtetërore.
Perveq aspektit diplomatik që kanë ambasadat dhe konsullatat, roli parësor i tyre duhet të jetë shërbimi për bashkatdhetarët, me paisjen e dokumenteve të nevojshme të shtetit të Kosoves duke filluar nga çertifikatat e lindjes, pasaportave dhe dokumenteve tjera të nevojshme për udhëtimin e fëmijëve të posalindur në drejtim të shtetit të Kosovës.
Përfaqësimi mërgatës në diplomacinë e jashtme, i zbardhë fytyrën shtetit
Në dekadën e fundit, diaspora shqiptare, nga qeveria e Tiranës dhe Prishtinës u përdor dhe u bë pjesë e agjendave politike vetëm në raste krizash politike, duke u përdorur si dekor festimesh dhe për dekorim të ndonjë sekseri të tyre në Diasporë, duke injoruar dhe anashkaluar shoqata dhe organizime të mirëfillta, duke injoruar në tërësi trurin e kombit shqiptar në Diasporë.
Pas shkarkimit të 14 konsujve të emëruar jashtëligjshëm nga pushtetarët paraprak, duhet të vazhdohet me një rifresh më të thellë nëpër përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në shtetet evro-perëndimore.
Me këtë rast, i ftojë qeveritarët e rinjë në Prishtinë e në veqanti Ministrinë e Punëve të Jashtme, që të merret seriozisht me përfaqësimin e Kosovës në botë dhe me problemet e mërgimtarëve, e assesi të mos i përserisin gabimet e pushtetarëve paraprak, me ekskursione të gjata nëpër vendet evro-perëndimore, me vrapime nëpër tubime e koncerte, panaire librash, prerje shiritash e aktivitete tjera që nuk përkojnë aspak me hallet dhe problemet e shumta të bashkatdhetarëve.
Përderisa në të kaluarën, hapja e ambasadave dhe përfaqësive konsullore në vendet evro-përendimore, ishte shndërruar në një biznes mjaft profitabil për pushtetarët në Prishtinë, tani e tutje duhet të shndërrohet në agjendë shtetërore dhe shërbime cilësore për bashkatdhetarët.
Përderisa në të kaluarën, përzgjedhja e stafit diplomatik dhe konsullor ishte bërë sipas kriterit “kush qet në def më shumë”, tani e tutje duhet të bëhet sipas kriterit profesional, aftësive diplomatike të kandidatëve dhe përfshirjës së mërgatës në staf diplomatik.
Ndryshimet e filluara, shpresë edhe për mërgatën tonë
Ndryshimet e filluara me shkarkime të bordeve të korruptuara dhe kriminalizuara, e pasuar edhe me shkarkimet në përfaqësistë diplomatike ngjallin shpresat edhe tek mërgata e jonë. Emërimet e reja në postet vakante nëpër përfaqësitë diplomatike duhet të jenë gjithëpërfshirëse e jo një partiake.
Pasi në çdo shtet, regjion apo qytet evropian ku (nuk) janë të hapura ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, ka me dhjetra intelektual të profileve të ndryshme që janë të aftë dhe të përgatitur për të ushtruar funksionin e zyrtarit konsullor, pse jo edhe të diplomatit shtetëror.
Zëri i mërgatës duhet të dëgjohet në qeveri dhe parlament, por më së shumti nëpër ambasada dhe konsullata dhe jo vetëm.
Vetëm me përfshirjen e aktivistëve dhe veprimtarëve të shquar të mëgatës në stafin diplomatik të ambasadave dhe konsullatave në shtetet evro-perëndimore, ndryshimet e filluara do të kenë kuptim dhe përmbajtje pozitive.
Pra, mërgimtarëve duhet të ju bëhet e mundur pjesëmarrja e drejtëpërdrejtë në vendimarrje duke filluar nga procesi i ardhshëm zgjedhor, përkatësiht me ndryshimin e ligjit zgjedhor që ua bën të mundur mërgimtarëve votimin nëpër përfaqësitë diplomatike, premtim ky elektoral i kryeministrit aktual.
Për këtë dhe shumë arsye tjera është e nevojshme hapja e sa më shumë konsullatave në shtetet me shtrirrje të gjërë gjeografike, siq janë Gjermania, Italia, SHBA-të dhe vende tjera me prezencë më të madhe të mërgatës tonë, në mënyrë që mërgimtarët t’i kenë sa më afër shërbimet konsullore dhe ato diplomatike.
Qeveria e re, e ka rastin dhe mundësinë që ta bëjë përfaqësimin dinjitoz të mërgatës nëpër përfaqësistë diplomatike dhe ta kthejë imazhin pozitiv të përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Prandaj është e nevojshme dhe e domosdoshme, do të thoja imediate përfshirja e mërgatës në stafin konsullor dhe misionet diplomatike, për ta hapur një faqe të re dhe të ndritshme të diplomacisë kosovare në arenën ndërkombëtare, për ta dëshmuar edhe në praktikë, se mërgimtarët janë ambasadorët më të mirë dhe më të denjë të Republikës së Kosovës në botë.