Zeka ka thënë se ky është një projekt madhor për Gjilanin i cili do të realizohet në faza të ndryshme ndërsa faza e parë e cila veç është duke u realizuar, pritet të kryhet pikërisht deri në Ditën e Flamurit, ku në këtë ditë solemne pritet edhe inaugurimi i kësaj faze.
Ai tha se me këtë projekt të rëndësishëm, mëtohet sadopak për tu shpërblyer sakrifica sublime e dëshmorëve tanë që prehen aty dhe të bëhet një satisfaksion sado i vogël për ata që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi, për familjarët e dëshmorëve por edhe për të gjithë qytetarët, dhe po ashtu, në këtë mënyrë të respektohet edhe lufta çlirimtare që është bërë.
Zeka ka thënë se ky projekt në fakt është dashur të fillojë shumë më herët, për shkak të rëndësisë që ka, megjithatë, kurrë nuk është vonë për një projekt të tillë. për të cilin, siç u shpreh ai, do të jetë i një rëndësi të veçantë dhe një prej qendrave më të mira memoriale në rajon.
“Ne, përveç që kemi obligim institucional, kemi edhe obligim kombëtar që ky Memorial të jetë i një niveli të veçantë dhe njëkohësisht të jetë një vend ku edhe qytetarët do ta vizitojnë dhe do të mësojnë për historinë e heronjve të Gjilanit, të shohin se kjo liri ka ardhur pikërisht me djersën, mundin dhe gjakun e atyre që prehen pikërisht në Kodrën e Dëshmorëve”, ka thënë Zeka.
Ai tha se i tërë projekti, që është investim i komunës, pritet ta arrijë vlerë e 2 milion eurove, ndërsa vetëm kjo fazë ka vlerën e mbi 277 mijë eurove dhe gjatë kësaj faze pritet të kryhen monumenti, murali përkujtimor, varrezat dhe ulëset prej betoni, peizazhi, shtigjet dhe platot, mbjellja e gjelbërimit, montimi i mobilarisë urbanistike (ulëse, shtylla, shporta etj), rrjeti elektrik, ujësjellësi dhe kanalizimi.
Ndryshe, Memoriali i Dëshmorëve pritet të shtrihet në një sipërfaqe prej 10 hektar ndërsa, plani dinamik për fazën e para parashihet të zgjas 48 ditë pune efektive, derisa për të përfunduar tërë këtë projekt kapital, nevojiten 3-4 faza. /2lonline/