/2L ONLINE/ – Komiteti i Arsimit në Komunën e Gjilanit, i kryesuar nga Arben Mehmeti, në mbledhjen e rregullt të mbajtur, ka rekomanduar Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe kryetarin e Komunës që të veprojnë në mbështetje të nxënësve të klasave të para, në mënyrë që të bëhet një zgjidhje adekuate, që qanta e librave të nxënësve të jetë më e lehtë e jo e stërngarkuar me numër të madh të librave.
“Si trupë profesionale, Komiteti i Arsimit rekomandon për Drejtorinë e Arsimit dhe kryetarin e komunës, të ndërmarrin hapa konkret që të krijohen kushte të cilat janë në favor të nxënësve tanë. Sot nxënësit e klasave të para janë të stërngarkuar me libra të shumta që janë rënduese për nxënësit fillestarë. Sipas mundësive të krijohet një hapësirë adekuate brenda shkollës për librat e këtyre nxënësve”, ka thënë kryesuesi Mehmeti, duke bartur mesazhin e të gjithë anëtarëve.
Gjithashtu komiteti ka diskutuar edhe për fillimin e vitit të ri shkollor, Kompleksin e Shkollave të Mesme, regjistrimin e nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë, sikur që është debatuar edhe rreth pranimit të kuadrit arsimor në shkollat e Komunës së Gjilanit.
Njëzëri janë pajtuar të gjithë anëtarët e komitëtit që ligji për arsimin si dhe udhëzimet administrative të zbatohen edhe sa i përket ekskurzioneve të maturës, duke kërkuar që të ketë një përkushtim maksimal edhe të shkollave përkatëse, por edhe angazhimi i DKA-së, në këtë drejtim, sepse është interes i të gjithëve që këto vizita të përfundojnë sikur që të gjithë dëshirojnë, duke u larguar nga ekseset, problemet apo degradimet e qëllimit të vizitave. /2L ONLINE/