Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, u takuan me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, njëherazi mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobar.
Në këtë takim u diskutua për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin me misionin e KFOR-it dhe NATO-s, me ç’rast Ministri Mehaj i theksoi politikat destabilizuese të cilat po i ndjekë pala serbe përmes shpërndarjes së informatave të pavërteta, bashkëpunimit me Federatën Ruse dhe presionit të vazhdueshëm që ushtrojnë mbi qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pjesëtarët e FSK-së të komunitetit serb, të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit.
Po ashtu, Ministri Mehaj theksoi edhe njëherë se qëndrimet e Republikës së Kosovës janë të qarta, ashtu si gjithmonë, pro politikave evropiane, krijimit të një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie.
Gjithashtu, Ministri Mehaj e njoftoi z.Escobar me avancimet e FSK-së, si: zbatimin e fazës së Parë të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, të hartuar bashkërisht me ISG ( Institutin për Qeverisje të Sigurisë ) dhe faktin që aktualisht jemi në fazën e dytë të implementimit të këtij plani, bashkëpunimin me KFOR-in në monitorimin e gjithë territorit të Republikës së Kosovës, përkrahjen e ofruar për aleatët tanë, shtetet anëtare të NATO-s, në misionin për evakuimin e refugjatëve afganë, si dhe transportimin e ndihmave për popullin ukrainas.
“Fatkeqësisht, të njëjtën gjë nuk mund ta themi për palën serbe, të cilët vazhdojnë të mos vendosin sanksione për Federatën Ruse, ndonëse po shohin çdo ditë ashtu si e gjithë bota agresionin rus dhe krimin ndaj popullit ukrainas, duke dëshmuar kështu edhe njëherë më e pakta paaftësinë e tyre për t’u shkëputur nga politikat ruse, nëse jo dhe faktin që e kaluara e Ballkanit Perëndimor nuk ka shërbyer për ta për të nxjerrë mësim, për të kuptuar se rendi i ri në Ballkan është i pandryshueshëm, andaj vendosja e 48 bazave ushtarake afër kufirit të Republikës së Kosovës nuk do e ndryshojë këtë fakt, përveçse shpërfaqjen hapur një klasë politike të një mendësie të vjetër me pikëpamje shumë larg vlerave demokratike të Bashkimit Evropian, dhe edhe më larg qëllimit të NATO-s”, tha Ministri Mehaj me këtë rast, duke shtuar se rrugëtimi i Republikës së Kosovës ka një destinacion final, anëtarësimin në BE dhe në NATO, aty ku gjeografisht gjendemi dhe parimisht ndajmë vlera të përbashkëta, një mision për të garantuar ruajtjen e paqes në vend, rajon dhe më gjerë. /2LONLINE/