Sëmundja virale ethet katarale ose “gjuha e kaltër” kërcënon të përgjysmojë bagëtinë në komunën e Medvegjës. Nga paraqitja e rastit të parë kah fundi i gushtit deri më sot janë sëmurë mbi 1500 frymë, kryesisht dele. Rreth pesëdhjetë tashmë kanë ngordhur edhe pse janë aplikuar masat e disponueshme të shërimit dhe vaksinimit të frymëve nga ana e ekipit veterinar.
Sa do të jenë përmasat e dëmit askush në këtë moment nuk mund të parashikojë sepse çdo ditë paraqiten raste të reja. Nga buxheti i komunës së Medvegjës urgjentisht janë ndarë gjysmë milion dinarë për shërimin e kafshëve.
“Fatkeqësisht, kjo shifër sigurisht do të tejkalohet. Por, asnjë amvisëri që ka kafshë të sëmuara nuk do të paguajë shërimin e tyre, por gjithçka do të shkojë në barrë të komunës” – ka thënë kryetari i komunës së Medvegjës, Sllobodan Drashkoviq.
“Shumica e banorëve në komunën tonë jeton nga blegtoria kështu që shërimi i kafshëve të sëmuara dhe parandalimi i përhapjes së infeksionit është në këtë moment detyra më me rëndësi”.
Me barinjtë e dëshpëruar përveç udhëheqësisë së komunës ditë e natë janë edhe ekipet veterinare nga Medvegja dhe Lebana. Katër ekipe veterinare tashmë kanë kaluar 4 mijë kilometra rrugë të cilat çojnë deri tek fshatërat kodrinore përgjatë kufirit me Kosovën.
Zoran Illiq, drejtor i Stacionit veterinar në Lebanë thekson se kafshët po shërohen me doza të forta të antibiotikëve. Gjithashtu, ndahen delet e sëmuara nga ato të shëndosha për t’u parandaluar përhapja e sëmundjes.
Përndryshe, në komunën e varfër thonë se është ndërmarrur gjithçka që është në fuqinë e tyre për t’u ndihmuar njerëzit të cilët jetojnë nga blegtoria. Tani i takon shtetit që të miratojë masat tjera për luftimin e kësaj sëmundjeje. Tani për tani, e vetmja masë e cila është në fuqi është ndalimi i shitjes së kafshëve në territorin e komunës së Medvegjës.
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=3725