Me të dëgjueshmit kurrë s’u mora vesh

Me të dëgjueshmit kurrë s’u mora vesh

Lirije KAJTAZI

ME TË DËGJUESHMIT KURRË S’U MORA VESH

( Poezi të botuara gjatë viteve ’90-ta, në revistën letrare – kulturore AGMIA, Gjilan )

GUXIM SHIU

Guxim shiu rrodhi në ne
e s’ia prishëm njëri-tjetrit

Lëvozhgat ranë
akullnajat u shkrinë
zemrat tona të lagura u ngrohën
prej puthjes nën ombrellë

Nën xhamat çatisë sëposa vënë
luhet me taktsimfoni dashurie

Mugullon natyrë e larë
në ditë feste qielli vë kurorë të re
me të dëgjueshmit kurrë s’u mora vesh
jetën si sot kurrë se desha.

PO TË ISH DASHURIA

(të kuptohemi lum miku
po të ish dashuria
do t’më jipte guxim)

Nëse shikimin ta fala
të të therras’deshta
ti ma shtrëngove dorën
për një fjalë të mirë
vetveten s’ta fola
as premtova se tuajat fjalë
mund t’i mbillësh brendësisë sime

Nëse çkado që të dhurova
kamatë s’kërkova
prej teje shumëçka pranova
dhe kohën ta mora
po-jo ty të tërin
as zemrën
pse t’u afrova
prekjen s’e desha

(lum miku të kuptohemi
po të ish dashuria
ndryshe do të flisnim)

NË GËZHOJË

(ose: kur s’e ke fuqinë e zogut)

Kur u lind(a) në zero zura orën
kisha zëro-zero minuta
zero – zero ditë
zero – zero javë
zero – zero muaj
zero – zero vite

Nga atëherë, pa diç
nga zeroja – në hiç
më vonë iks numra u shtuan
muret e zeros tej mase u forcuan

JETO – J

Më e bukura e lulishtes
në mua rrënjët ke lëshuar
shija ime në trupin tënd ka mbëltuar
ti je një dhe s’ka të dytë
unë frymoj nga ajri yt

Jetojmë bashkë në simbiozë

S’mundesh pa mua, unë pa ty
na mban një jetë
një tokë na futë në gji

Të të prekë kush tjetër – s’dua
jam xheloz (e) dhe në bletën

REPRIZË

Jashta dyerve shitësit e biletave
kryejnë punën e vet
vendet zihen
në teatrin e panjohur skena e pasigurtë
ngatërrohen polet mbështillen rolet
Kaini dekorohet
Krishti përbuzet
suflerët ngelin nën dërrasa
aktorëve ju rrënohet karriera
regjisori kërkon dëmshpërblim
nga ky teatër
ku mbështillen rolet
e ngatërrohen polet
dalja me shekuj kërkohet

SËMUNDJE VARSHMËRIE

(Shëtisim sot pak, nesër pimë një gotë
pse censurojmë vetën s- flet kjo botë)

Nuk ika prej teje as sëmundjen kur ta hetova
të shërova s’ di apo mos të lëndova
ngjitëse sëmundja mendja e trazuar
ditë nuk mbeti pa të takuar
(shëtisim sot pak, nesër një gotë pimë
pse t’ censurojmë vetën, bota le t’ oshtijnë)

Ndalet koha s’ ecën pa një sheti
si do të jetë fundi, as vet nuk e di

(Sot një gotë pimë nesër shëtisim pak
pse t’ censurojmë vetën, bota fle rehat)

Heshta për vetën për ty JO nuk thash
as në refren SOLO nuk të lash

(Sot një gotë pimë, nesër dalim në sheti
pse t’ censurojmë vetën kur s’ duhemi unë e ti)

DERI SA KAM DURIM

Pluhurin shkunde
atë portë hape
eksport- importin luaje
dhe – ruaju
të mos zë fill myku
që ta vrajë shkëlqimin
qira nuk të marrë
tatimin e “ lajmë “ bashkë

KOHËS

Mos më mat
dua të dal ashtu siç jam
edhe dashuri po të jetë
frikën e kam zhvesh

Hiqmi rojtarët
si këtë pëlhurë
më vjen ai që dua

KOMENTE