Nga: Fehmi Sylejmani
Edhe përkundër që Matematika cilësohet si “Mbretëresha e Shkencave natyrore”, ajo nga pjesa dërrmuese e nxënësve në shkollat tona nuk adhurohet si një mbretëreshë, duke shfaq tepër pak dashuri për të. Lë pastaj se sa punohet. Është vështirë të gejshe ndonjë nxënës, i cili ma pasion të plotë e adhuron këtë lëndë. Madje kërkesat për të ndjekur studimet në Fakultetin e Matematikës deri më tashti kanë rezultuar të jenë shumë të pakta. Edhe ata pak student, të cilët mund t’i numërojmë me gishta, që shprehin dëshirë për të studiuar këtë degë janë më shumë, ata të cilët nuk arrijnë të pranohen nëpër degë tjera, ndërsa për të mos mbetur rrugëve degdisen në këtë degë. Ndonëse në dy vitet e funti kemi paksa një interesim më të theksuar për të studiuar matematikën. Por pavarësisht kësaj, megjithatë organet më të larta relevante të arsimit duhet të bëjnë shumë më tepër për ta bërë më të dashur lëndën e Matematikës. Duke filluar nga arsimtari, shkolla, profesorët e nderuar të Matematikës, Fakulteti dhe krejt në fund Ministria e Arsimit.
Çka duhet të bëjë arsimtari, shkolla. profesori, Fakulteti dhe Ministria e Arsimit ?
Krahas talentit që ka nxënësi, arsimtari duhet që me shumë dashuri, punë dhe vullnet të pashoq të gjejë mënyra bindëse që nxënësit ta dashurojnë këtë lëndë. Ata duhet të investojnë shumë në kultivimin e dashurisë për këtë lëndë, ngase dashuria e vullneti lind e forcohet në shkollë, në klasë, në mësim, e jo vetvetiu. Nga klasa dhe mësimi nxënësit duhet të dalin të ngazëllyer, që mezi presin t’i bëjnë detyrat e të vrapojnë në mësimin e matematikës. Duhet të mendojnë mirë se ata duhet ta rritin kapacitetin e tyre për në fushën e Matematikës.
Pak për të mos thënë aspak veprimtari për matematikën kryhen nëpër shkolla. Ka pak shkrime për Matematikën në revistat përkatëse shkollore . Edhe nëse ka në ndonjë revistë, ato janë shumë të rralla. E kjo ndodh jo për shkak që nuk dinë të shkruajnë arsimtarët tanë, por për shkak se pak kujtohen për të planifikuar e ca më pak për të realizuar veprimtari kushtuar lëndës kryesore të shkencave natyrore, Matematikës. S’do mend se edhe një fakt tepër i rëndësishëm që nxënësit nuk e duan Matematikën është edhe mungesa e mjeteve të konkretizimit, që nëpër shumë shkolla tona fatkeqësisht ato mungojnë. Në këtë rast shkolla, përveç që duhet t’ua sigurojë të gjitha mjetet e nevojshme për punë në lëndën e Matematikës, duhet që të organizojë gara, kuize, debate, tribuna e tjera, vetëm e vetëm që këtë lëndë ta bëjë më të dashur dhe më joshëse për nxënësit e saj. Ndërsa, për individët më të dalluar të ndajë dhurata të ndryshme dhe ti çmojë ata, e jo vetëm t’i shpërblejë më ndonjë dhuratë simbolike.
Ndërsa, organet më të larta komunale arsimore ta kenë prioritet në programet e tyre, që këta nxënës të dalluar në fushën e Matematikës, të kenë privilegje në çfarëdo segmenti qoftë, si kundër të rregullohet edhe me dispozita ligjore që këta talent ët Matematikës të kenë të siguruar ndonjë bursë simbolike nga komuna.
Ndërkaq, është koha e fundit që profesorët universitar të fushës së Matematikës t’i rishikojnë botimet e librave të tyre të mëhershme dhe t’i ndryshojnë ato në raport me zhvillimet aktuale të kohës. Shumë tema mësimore duhet të ndryshohen në të mirë të mësimdhënies dhe mësimnxënies, ngase me reformat më të reja në arsim, e së fundi edhe pilotimi i disa shkollave pilot me kurrikulën më të re të Kosovës, nxënësit janë në qendër të vëmendjes, janë pjesëmarrës aktiv dhe të angazhuar në aktivitete që nxisin nxënien dhe interesin e tyre dhe i bën më të përgjegjshëm.
Ministria e arsimit mund të bëjë shumë për dashurinë e nxënësve ndaj matematikës, duke i priveligjuar në radhë të parë, nxënësit, arsimtarët dhe shkollat. Të organizojë trajnime, ligjërata, simpoziume, tribuna shkencore, seminare të niveleve të ndryshme e tjera. Pse të mos nxjerrët një revistë e Matematikës, apo pse të mos transmetohen emisione televizive që lidhen me lëndën e matematikës dhe të organizohen gara komunale, rajonale, republikane, mbarëkombëtare, ballkanike e kështu me radhë.
Me një dëshirë dhe vullnet të mirë këtë mund ta realizojmë. Vetëm lypset punë dhe angazhim. Matematika nuk është aq e “egër” sa na duket, por duhet më shumë veprimtari, me qëllim që nxënësit tanë ta pëlqejnë, ta duan fortë, e të punojnë për këtë lënde ekzakte. Thjeshtë duhet të bëjmë shumë më shumë për Matematikën.
(Autori është mësimdhënës i Matematikës në Gjilan)