Nuk është mirë të kërkosh nga tjetri diçka që vet nuk e keni bërë, sikur që, as nuk është mirë të mos e bësh një gjë që e keni kërkuar nga tjetri pak vite më parë. Rasti është krejt identik, ashtu si që janë vëllezërit binjak.
Shkruan: Gani NEZIRI
Para pak vitesh, tundej e shkundej Kosova në kërkim të një dorëheqje e cila nuk ndodhi. E po ashtu edhe sot, sikur edhe atëherë, njëanshëm kërkoheshin e kërkohen dorëheqjet pa asnjë faj direkt nga ministrat e asnjë faj nga Qeveria as atëherë dhe as sot. Por që, gjithsesi dorëheqjet si atëherë e po ashtu edhe sot do të ishin një akt moral e qytetar që do qetësonin situatat e dhimbshme familjare e qytetare deri në pafundësi.
Si në rastin e parë e po ashtu edhe në rastin e dytë janë shembur shpresat e dy familjeve si rrëzimi i dy kodrave që mbajnë baraspeshën e tokës.
I vetmi akt që do të zbuste sado pak dhimbjet familjare do të ishte “dorëheqja” morale e ministrave përkatës, sa do që (unë kujtoj) nuk janë nën fajin direkt as atëherë dhe as sot.
Fajtorët direkt janë administratorët direkt të rasteve. Prandaj, duhej e duhet krijuar komisione hetimore brenda Kuvendit shtetëror, e po ashtu edhe prokuroria e shtetit duhej e duhet të kryejnë detyrën e tyre.
Atëherë duhej kërkuar fajtorin në administratën e burgut dhe duhej dënuar me burg, ndërsa ministri duhej dhënë dorëheqjen si akt moral i tij.
Po ashtu, edhe sot, duhet kërkuar fajtorin në administratën e karantinës së improvizuar në konvikt dhe duhet dënuar me burg, ndërsa, ministri-at përkatës që (sipas bindjes time) nuk mbajnë faj, duhet dhënë dorëheqjen si akt moral qytetarie, për të zbutur sado pak dhimbjen familjare dhe shqetësimin e madh popullor përball këtyre ngjarjeve ekstrem të dhimbshme.
Do të thosha në këto momente; “Mos qofshim nën lëkurën e tyre o Zoti ynë”.
Sado që, këto ditë, si edhe atëherë, jemi ndjerë sikur të ishim “nën lëkurën e tyre”. Kemi mbushur faculetat me lot. Por, mbrëmja na ka pritur në shtëpi pranë familjeve tona.
Prandaj, nuk duhej e nuk duhet luajtur me ndjenjat e dhimbjes së familjarëve për qëllime sado qofshin të mëdha. Sikur që, as nuk duhet lënë interesin shtetëror “në lotari” duke shfrytëzuar rastet si këto.
Shteti ndërtohet, ruhet e zhvillohet duke e ndjerë në shpirt, në mendje e në zemër nevojën për të dhe sigurinë për familjen. /2LONLINE/