Miqësia e vërtetë dhe e sinqertë me SHBA-të për ne shqiptarët është si buka e uji. Miqët tanë amerikanë nuk na dojnë e përkrahit pahir. Ata na mbështesin sepse ne dhe shumë gjenerata paranesh shtruan rrugën e kësaj miqësie.
Që nga koha e Nolit e Konicës, vizionarët modern të kombit shqiptar gjithëherë e kanë parë ekzistencën jo vetëm politike, por edhe natyrale / biologjike të kombit tone si të ndërlidhur dhe të ruajtur direkt nga SHBA-të. Ata që atëherë, qysh në themelet e para të shtetit të shqiptar, sado i cunguar territorialisht që ishte, e bënë për vete dhe e kthyen në favor të së drejtës kombëtare shqiptare një vend me ndikimin më të madh në botë—bënë që Washingtoni të jetë zë që përcon kërkesat e drejta shqiptare në botë dhe njëkohësisht përkrah direkt realizimin e tyre.
Në historinë tonë më të re, miqësia jonë strategjike dhe e përherëshme me SHBA-të u bë platformë e pazëvendësueshme politike e rezistencës aktive paqësore kundrejt okupuesit serb nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit Historik të vendit. Por edhe deri tek kjo ripërtritje e miqësisë sonë me SHBA-të nuk erdhi rastësisht, sikurse nuk kishte ardhur rastësisht as miqësia e Konicës e Nolit me Presidentin Wilson të SHBA-ve në fillim të shekullit XX. Qysh në atë kohë, shqiptarët e Amerikës kishin mbledhë fonde të mëdha për të përkrahur fushatën e Wilsonit dhe për t’i arsimuar sic duhet njerzit kyc të tij mbi cështjen shqiptare. Edhe në kohën e historisë sonë moderne, lidhjet e Kosovës me Washingtonit u mundësuan nga njerzë që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i kontribuajnë kualitativisht kësaj marrëdhënie speciale. Ndër ta, kryesor dhe i pazëvendësueshem ishte Kongresisti Joseph DioGuardi, shqiptaro-amerikani me prejardhje nga arbreshët e Italisë së jugut. Ai hapi dyertë por edhe zemrat e Senatorëve dhe Kongresistëve më të rendësishëm amerikanë kundrejtë kauzës sonë, duke sjellë Rugovën në takime zyrtare në Washington për here të parë, e mandej edhe duke kthyer në favor të UCK-së dhe luftës së lavdishme clirimtare të popullit nën udhëheqjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, njerzit kyc të politikës së jashtme amerikane, e cila përfundimisht solli edhe intervenimin ushtarak të NATO-s që rezultoi me clirimin e Kosovës.
Ishte dhe vazhdon po kjo miqësi strategjike me SHBA-të, e ndërtuar dhe trasuar në vazhdimësi nga lobi ynë në SHBA, nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen e DioGuardit dhe znj. Cloyes, që bëri Presidentin Bush të njoh pavarësinë e Kosovës, që siguroi përkrahjen e pashterur amerikane për demokratizimin e Shqiptarisë dhe anëtarësimin e saj në NATO, si dhe që mbajti në radar të politikës së jashtme amerikane cështjen shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, dhe Luginë të Preshevës.
Ky vit shënon 15 vjetorin e angazhimit tim me Ligën dhe punën e drejtpërdrejt me z. DioGuardi e znj. Cloyes si dhe me shume miq tanë në Kongres e Senat, duke përfshirë personalitete si Dole, McCain, Rohrabacher, Biden, etj., (si dhe shumë që nuk janë më ndër ne, si Lantos, Gilman, Hyde, etj.). Nuk ka asnjë lloj karriere apo pozite (qoftë edhe shtetërore) që do të më kishte dhënë një privilegj e kënaqësi më të madhe. Nuk ka cmim apo kompenzim që paguan për ndjenja të tilla sic kam pasë rastin unë të kem—vizita e takime me njerzë shumë të mëdhenjë në Washington, DC, New York City, Boston, Chicago, Miami, Atlanta, San Francisco, Detroit, e gjithandej Amerikes e botës; takime zyrtare e vizita në Kongres e Shtëpi të Bardhë; në Senat dhe OKB; si dhe në rezidencat private të disa figurave kyce të politikës amerikane.
Tri ditët e fundit më bënë të reflektoj mbi këtë marrëdhënie kaq strategjike në mes shqitparëve dhe SHBA-ve dhe të ndihem mëse i nderuar që vlerësimet më të mira për punën tone tanimë i kanë dhe po i bëjnë edhe përfaqësuesit e SHBA-ve në Ballkan. Për nder të ditës së pavarësisë së SHBA-ve, të enjtën, pata nderin e vecante dhe kënaqësinë të jem prezent në pritjen zyrtare të Ambasadorit amerikan në Shkup, z. Bailey, kurse të premtën në festën e kësaj ditë të rendësishme me Ambasadorin amerikan në Tiranë, z. Lu (festë kjo që koincidoi në të njëjten kohë me atë në Prishtinë). Kurse, mbrëmë ishim bashkë me Ambasadorin e Kanadasë në Kosovë, z. Maksymiuk, përfaqësuesin diplomatik të një shteti aleat mirëfilli jo vetëm i Kosovës por edhe i SHBA-ve.
Andaj, përgjerësa populli ynë gëzon miradinë Amerikane (edhe të botës perëndimore në përgjithësi), ne do të ecim drejt progresit e zhvillimit, pamarrëparasysh sfidat politike me të cilat ballafaqohemi. Miqësia jonë strategjike me SHBA-të vecsa do të forcohet dhe ne jemi të përkushtuar ta bëjmë këtë, sikur dje, ashtu edhe sot e nesër! E nesërmja do të jetë më e mire; të mirat dhe risitë nuk do të mungojnë… Ju premtoj!
Faton Bislimi
Anëtar i Bordit të Drejtërove
Koordinator për Ballkan
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane
New York dhe Washington, DC
2 Korrik 2017