Me homazhe në Kazermën ,,Adem Jashari” dhe me ceremoni ushtarake, në Batllavë të Podujevës, në praninë e familjarëve, miqve, shokëve dhe kolegëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u varros me nderime të larta ushtarake pjesëtari i FSK-së rreshter i parë Besim Bajaraktari.
Ceremonia e varrimit filloi me homazhe pranë arkivolit të të ndjerit, rreshter Bajraktarit, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë dhe më pas kortezhi me përcjellje ushtarake vazhdoi për në varrezat e fshatit të tij të lindjes në Batllavë, ku u mbajt ceremonia e varrimit me nderime ushtarake.
Për ta nderuar për jetën dhe veprën e tij në ceremoni kishin ardhur eprorë dhe kolegë nga FSK-ja, përfaqësues të Komunës, shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.
Në emër të Forcës së Sigurisë së Kosovës foli zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, i cili pasi shprehu ngushëllimet familjes, pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe kolegëve, vlerësoi lartë jetën dhe veprën e rreshterit të parë, Bajraktarit, ku ndër tjera tha: “Njerëzit si Besimi janë të rrallë, që në personalitetin e tyre i kanë të gërshetuara vlerat më të larta njerëzore si urtësinë, edukimin e lartë akademik, sinqeritetin dhe atdhe-dashurinë. Ne ndihemi krenarë që bashkërisht ndërtuam themelet e sigurta të ushtrisë së Kosovës, për të cilën Besimi punoi pa-reshtur gjithë jetën”.
Ngushëllime për familjen, shokët, bashkëluftëtarët e ushtarët, shprehën kryetari i Komunës së Podujevës, z.Shpejtim Bulliqi, kryetari i Organizatës së Veteranëve, dega në Podujevë, z.Fahri Bala, ndërsa në emër të familjes falënderoi për pjesëmarrje në ceremoni vajza e të ndjerit, Sara Bajraktari.
Besimi ka qenë pjesëtar i UÇK-së, në Komandën e Zonës Operative të Llapit, pas transformimit të UÇK-së ka shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe që nga themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka kryer detyra dhe pozita të larta të nënoficerit.
Besimi u nda nga jeta me 17 janar 2022, pas një sëmundje të rëndë, duke lënë pas vetës bashkëshorten dhe tri vajza. /2LONLINE/