(2L ONLINE) – Të gjithë ata që e shohin listën e kandidatëve të LDK-së, do të vërejnë se aty është bërë një ndryshim i vogël kur janë në pyetje kandidaturat që i kishte propozuar Dega e këtij subjekti në Gjilan. Në listën e LDK-së për deputetë të Parlamentit të Kosovës nuk figuron emri Hafiz Gagica, që ishte i propozuari i degës, por në vend të tij tani është Murat Hoxha.
Por, pse ka ndodhur ky ndryshim ?
Gagica jeton dhe zhvillon aktivitet si anëtar i LDK-së në Gjermani prej disa vitesh. Mësohet se për t’u kandiduar për deputet të Parlamentit të Kosovës atij iu është dashur të heq dorë nga shtetësia. Si duket ai nuk ka dashur ta sakrifikojë shtetësinë e Gjermanisë, për të hyrë në një garë ku nuk është e sigurt fitorja.
Ai ka zgjedhur që të rrijë “gjerman” dhe të mos bëhet deputet i Kosovës, edhe pse privilegjet që i kanë siguruar për vete deputetët e Kosovës, janë aq të mira ndoshta edhe aq sa që gjermanët të na kenë lakmi.
Sido qoftë, Gagica më nuk është pjesë e listës ndërsa në vend të tij, është Murat Hoxha, derisa në listë janë edhe Lirije Kajtazit, Sabit Rrustemit, Naim Behlulit dhe Fatmir Rexhepi.
Ndryshe, LDK vlerëson se ka listën më të mirë duke përfshirë në të edhe kandidaturat që janë nga Gjilani,andaj në këtë subjekt thonë se sigurt do të jenë fitues të zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit dhe se do të qeverisin me vendin në mandatin e ardhshëm qeverisës.
Ditë më parë, Lutfi Haziri, kryetar i LDK-së së Gjilanit, kishte ftuar gjilanasit që të rreshtohen në vargun e gjatë të ushtarëve të Ibrahim Rugovës, për fitoren 8 qershorit, pasi sipas tij, Dega e LDK-së në Gjilan beson se me këta kandidatë si Kajtazi, Rrustemi, Behluli, Hoxha e Rexhepi, dhe të tjerët në nivel të përgjithshëm, LDK do të jetë bindshëm fituese në zgjedhjet nacionale. /2L ONLINE/