Medina PASOMA
MË LEJO TË FLEJ NË BUZËQESHJET TUA
( cikël poezish )
U BAFSHA PLUHUN NËN KAMBËT E TUA
Kënga që këndon çdo mëngjes
Vargu kryesor, në fakt titulli i poezisë
Teli në kitarën tënde
Djegia dhe shërimi yt shpirtëror
Uragani dhe vullkani i zemrës
Lule e pranverës për plagët e stinëve
U bëfsha mendimi yt natën vonë
Qëndrimi, puna, ecja jote ditën
Suksesi dhe dështimi yt
U bëfsha ndaç valë, ndaç det për ty
Zog i pafundësisë për qenien tënde
Ikja nga lodhështitë e botës
Mal që me tërë fuqinë aty ti ngrit zërin
U bëfsha ndaç rruga ndaç bashkëudhëtari
Rruga më e gjatë për ecjet e tua
Ose qëllimi jetësor ose misteri i vdekjes
Ndaç emri ndaç kuptimi i dashurisë
Vetem një gjë u bëfsha ndaç, e përjetshmja…
TË BËHEM TI
Më lejo të flej në buzëqeshjet e tua
Të këndoj me qerpikun e syrit tënd
Të hyp natën në katet e mendimeve tua
Dhe t’a ndriçoj qytetin me dritën e fytyrës sate
T’a shoh veç njëherë veten me vështrimin tënd
Mjegullën e kësaj jete t’a largoj me shiun tënd
Etjen e ekzistencës t’a ndez me praninë tënde
T’i godas malet me ngrysjen e vetullave tua
T’a njoh jetën përmes detit të dhimbjes tënde
Me harmoninë e veshit tënd t’i dëgjoj meloditë e botës
T’i mbush fletët me mallëngjimet e tua
T’a qetësoj shpirtin me valët e prehjes tënde
Të bërtas me uraganin e brendisë sate
Dhe t’më lagen sytë me vetminë e netëve tua
Nga e qeshura jote t’më gjallërohet jeta
Le ta kërkoj aromën çdokund, si i sëmuri shërimin
E kur të kërkoj shtegtim, arratisje t’më jenë krahët e tu
T’i prek shpendët me duart e tua dhe me prekje t’i fal fluturim
Portat e botës le t’më hapen me trokitjet e tua
Dhe rrugët t’më ndërtohen me hapin tënd
Të jem vrasëse e ndarjeve me fundet e tua
Dhe me fillimet e tua të bëhem sinonim përjetësie
Le të shkrihet uni im nga zjarri i dëshirës sime
Dëshira për të qenë ti, le t’na bëjë një…
KUR TË VISH
I hapa krahët për ardhjen tënde
Të hapura i lash portat e zemrës
Madje i ngroha pritjet, me oxhakun e jetës
Vetëm që t’mos kesh të ftohtë, kur të vish
Varrosa thënjet e hidhura mbi dashurinë
Djega sallat e dramave të ndarjes
Këngët melankolike i nisa drejt Hënës
Vetëm që ta ndjesh gëzimin, kur të vish
I bashkova ditën e natën, si një moment të vetëm
Jetësova katër stinët në qenie, me ndjenjat që pata
T’i lidha hapat me zemrën time
Vetëm që t’mos presësh si unë, kur të vish
Por në këtë teatër u luajt një rol
Në dritare u pa veç një njeri
Veç një frymëmarrje u dëgjua
E lodhur në pritje, e lodhur në vetmi…
EMNI YT
Sonte jam tu dasht me t’emnu ty
Por e pamundun është me t’vu ty emër
Si me I nda Hanën dhe yjet kur bëhet fjalë për qiell
Si me I nda t’dashtunit, kur dashnia lulëzon
Si me e nda një andërr, prej një mijë ëndërrimeve
Si tokës me ia largu përqafimet e tërmeteve
Si me I jep shkëndijë luftës, në cakun e paqes
Vështirë është me t’emnu, si vetë kjo jetë
Cili emër s’e rëndon shikimin tand t’thellë?
Dhe e përshkruen mirë ngjyrën e syve tu…
Cili emër e mban në krahë qëndrimin tand, sa t’ran aq edhe t’butë
Dhe që I fal dritë lutjeve tua të vona
Jam tu dasht me t’emnu ty
Dhe meqë thellësitë banojnë tek ti
Du me ta lan emrin det
Det I madh, njësoj si zemra jote
Me përplotë ulje dhe ngritje
Si vullneti I shpirtit tand
Nëse unë jam fëmiu, ti je deti I parë që kam pa…
Por, po ta la emrin det
Do t’xhelozoj qielli
Do t’ngryset dhe do t’qaj n’shi
Vetëtima e saj do na gjuaj mbi zemrat tona
Bubullimat e frikës do na I bëj melodi
Pafundësia do t’qaj, që s’është meritor për emrin tand
Dhe sikur do flisja për lartësinë që m’a jap
Dhe për largësinë që më çon
Do t’a lija emrin mal
Mali më I lartë I ndjenjave
Më I gjati për të arritur fitoren
Më I shkurti për të gjetur prehjen
Mali mbi të cilin kam dasht me e pa botën…
Por, po t’a la emrin mal
Kodrat rrafshohen prej dhimbjes
M’vështrojnë me vetulla të ngrysuna
Me sy t’tërbuem, me shpirt t’flakëruem
Njësoj sikur ti, kur në pyetje jam unë drejt botës…
Njësoj si dridh tërmeti tokën, ti dridh zemrën time
Njësoj siç çan tërmeti tokën, ti m’I çan pjesët e liga të shpirtit
Dhe po ta lija emrin tërmet
Vullkanet s’do ndaleshin së shpërthyeri
Edhe të vdekurat, sërish do lindnin
Do luftonte vullkani, që lavë të dashurisë sonë
Ta bënte dhimbjen!
E stinët mbeten të mangëta për emrin tand
Sepse ti I tejkalon ato
Ti je një vit I tërë
Ti je një jetë e gjatë
Që nis me fidane në buzëqeshjet e tua
Që flak kohën, me përvojën e bëmat e tua
Pastaj që fryen e qetëson shpërthimet
Dhe që në fund I fal shikim ftohtësie botës
E unë, në kërkim të gjithçkaje që të ngjan ty
Që mban aromën dhe emrin tand
Mbetem e panjohun për kangën që mban zanin tand
Për vargun që peshon sa fjalët e tua
Për pikturën që ka pamjen tande
Për skenën që aktor je ti
Për gënjeshtrën që realiteti I saj je ti
Për jetën që pafundësia e saj je ti
Jam tu dasht me t’emnu ty
E përmes teje me njoft botën
Pastaj me pushtu çdo cep
Njësoj sikur zemrën tande t’njomë
Jam tu dasht me t’emnu ty
Dhe me fitu këtë betejë kundër gjithësisë
Nën hijen e emrit tand, t’jehon fitorja jem
Jam tu dasht me t’emnu ty
Dhe s’ka emër që t’përshkruen ma mirë
Që iu afrohet hijeshisë tande
Ma shumë se emri DASHNI…
______________________
Medina PASOMA
është poete e re nga Vushtrria, e lindur më 18.09.2000 .
Në vitin që lam pas ajo fitoi vendin e dytë në Festivalin “Takimet e Poeteshave Shqiptare” në edicionin e 36-të, me poezinë “Emri Yt” ( pjesë edhe e këtij cikli poetik ” dhe kjo deri tash, përbën suksesin e saj më të madh në fushën e artit letrar.
Së shpejti, Medina Pasoma do të sjell dhe librin e saj të parë…