“Flaka e Janarit”, nga nesër e deri më 31 janar të këtij viti, nis rrugëtimin e saj të Njëzetenëntë, për t’i përkujtuar përmes artit pamor, skenik, letrar e muzikor të gjithë ata bij e ato bija, që e nderuan këtë Dhe të Shqipeve, me gjënë më të shtrenjtë të tyre që e ka kjo botë e dukshme dhe e prekshme: JETËN, duke gjakuar lirinë , pavarësinë dhe gjithçka tjetër që është e mirë e që i duhet vendit të lindjes, të jetës e të vdekjes – ATDHEUT.
Nga: Sabit Rrustemi
Këtë nderim e përkushtim të pashembullt në këto troje të Ballkanit e më gjerë, që për të njëzetenëntën herë po e jetëson komuna e Gjilanit, është dëshmi, është dhunti, është gjallni e është edhe dashni ndaj gjithë atyre martirëve, dëshmorëve, heronjve e figurave të shquara që dha kombi ynë, për këto ditë të lira, të mira , të paqta e të jetueshme, të cilat po i gëzojmë falë atij gjakimi e atij flijimi.
Gjëja më e vockël që kemi mund ta bëjmë për gjakun dhe shpirtin e tyre që sot e gjithë bën dritë, ka qenë dhe është ky Manifestim, i cili nga viti në vit mori epitetin e një veprimtarie kombëtare kulturor edhe ate me të drejtë, sepse u shtri e u mbajtë e po mbahet, thuaja kudo ku jetojnë, veprojnë e frymojnë shqiptarët, këtu në trevat tona po edhe nëpër botë.
Natyrisht, edhe kur ishte themeluar ky Manifestim nga Shoqata e Pavarur Kulturore e Gjilanit dhe Forumi i Rinisë i degës së LDK të Gjilanit, ishte menduar të jetë i tillë, përtej kufijve lokal, me synimin që në një të ardhme të afërt, ta gëzojë këtë epitet që e ka sot, Manifestim Kombëtar i Kulturës, duke i grishur, mbledhur e mirëpritur, velrat më të arrira artistike të një viti nga e gjithë hapësira shqiptare dhe atje ku jetojnë shqiptarët, pikërisht në vendin ku edhe U LIND, në Gjilan.
“Flaka e Janarit”, u ideua, u projektua dhe e nisi rrugëtimin e saj, pikërisht në shënimin e dhjetëvjetorit të vrasjes tinëzare të atdhetarëve tanë, shkrimtarit Jusuf Gërvalla, bashkëvendësit tonë, Kadri Zekës si dhe të vëllait të Jusufit, Bardhoshit, që pat ndodhur po me 17 janar 1982 në Shtutgart të Gjermanisë, pikërisht në ditëvdekejen e kryetrimit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kjo koincidencë do të ndikojë që, me rastin e shënimit të 530 vjetorit të kësaj vdekjeje, në vitin 1998, “Flaka e Janarit” të nis zyrtarisht, gjithnjë me këtë datë.
Organizatorë të kësaj veprimtarie ishin pikërisht ato dy subjekte që edhe e themeluan “Flakën e Janarit”, bashkë me gjithë ata që e begatuan me kontributet e tyre, për vite e vite, e qe u mbështetën nga institucionet e përkohshme komunale e ato qendrore të Kosovës së asaj kohe po dhe donatorë gjilanas e të tjerë jashtë Gjilanit.
Është mirë të thuhet edhe në këtë edicion të njëzetenëntë se, “Flaka e Janarit”, u themelua në një institucion publik arsimor e kulturor, Shkollën e Muzikës që ndodhet afër qendrës së Qytetit, dhe themeluesit e saj ishin subjekte legale, kulturore e politike, që merreshin me veprimtari kulturore e rinore dhe angazhoheshin për liri, pavarësi e demokraci, natyrisht, nga fushat të cilave iu përkisnin dhe me mjetet e me dijet e vullnetet e tyre të pakursyeshme.
Vlen të përmendet gjithashtu, se në aktin e themelimit të Manifestimit “Flaka e Janarit” ishin edhe dy shkrimtarë , të cilët ka kohë që kanë shkuar në amshim, Beqir Musliu e Haxhi Vokshi, po edhe heroina Hanumshahe Abdullahu – Zymberi, të cilët, deri në frymën e tyre të fundit, nuk u shkëputën nga “Flaka e Janarit’ dhe nga angazhimet për më të mirën e këtij vendi.
“Flaka e Janarit” u ngrit mbi katër shtyllat apo katër llojet e krijimtarisë artistike që e kishin formësuar profilin krijues e artistik të Jusuf Gërvallës, shtylla këto që i kemi dhe sot e vazhdimisht përpiqemi për t’i ngritur në cilësi dhe në vlera të mirëfillta artistike, përmes një fryme të lirë dhe të hapur garimi.
Në shembullin e madh të unifikimit të veprimeve atdhetare të kësaj tresheje shqiptare që veproi në të mirë të Kosovës nga mërgimi, Manifestimi i shumëllojshëm kulturor “Flaka e Janarit”, nga fillimi e deri në ditët e sotshme, luajti rol unifikues në raport me afrinë ndaj njëri tjetrit, në arritjen e qëllimeve të synuara për liri e bashkim kombëtar që ishte , është dhe do të mbetet amanet për breza e breza shqiptarësh.
U pagëzua me këtë emër që e ka edhe sot, pas një debati shumë të shnoshë në Shkollën e Muzikës. Nga propozimi fillestar, që ishte i imi, SHKËNDIJAT E JANARIT”, rodhi propozimi i dytë, DITËT E MARTIRËVE e që ishte propozim i Beqir Musliut. Një ndërhyrje shumë qëllimmirë e Ahmet Isufit, se, “nëse na duken të vogla këto shkëndija, a i kthejmë në flakë”, rrjedhimisht përcaktuan emërtimin FLAKË JANARI ,emërtim metaforik që sot e identifikon Gjilanin me të, kudo që përmendet apo ndodh të mbahet ndonjë veprimtari përkushtuese për më të dashurit tanë, meqë KËTU ky manifestim i lëshoi rrënjët, KËTU nëpër vite rriti shtatin , shtriu degët dhe frytet krijuese i shpërfaqë po në këtë kohë, duke e kthyer qytetin tonë në një Olimp kulturor nderues e përkushtues për martirët, dëshmorët , heronjtë dhe figurat e shquara të kombit.
“Flaka e Janarit”, vetvetiu u bë edhe metaforë jona e gjakimit për liri, pavarësi, demokraci e bashkim kombëtar. Nga fillimi e këndej, u shpërfaq botërisht, sepse nuk kish se si të fshihej në një kohë që ishte e errët për ne. Ishte përnjëmend FLAKË dhe duhej ta digjte atë terr robërimi gati shekullor që ndrydhte gjysmën e një etnie, e cila padrejtësisht ishte ndarë e copëtuar në sa e sa pjesë, pas luftës së parë botërore dhe ishte masakruar nëpër luftërat ballkanike.
“Flaka e Janarit”, nga edicioni i parë që ndodhi më 18 janar 1992 në Bresalc, ku përuruam një Shtëpi Kulture, në dukje e vogël, por me një hapësirë të madhe sa krejt ky fshat me një zemër bujare e të guximshme, duke u bartur po atë ditë në ish restaurantin KULLA në qytet, që ndodhej në afërsi të shkollave të mesme të Gjilanit, po edhe të nesërmen në Përlepnicë, në Shtëpinë e Kulturës, ku iu kënduam dëshmorëve, e secilin Manifestim që rrodhi pastaj në tetë edicionet e paraluftës së fundit, e kemi nisur dhe mbyllur me tog-fjalëshin, “mirë u pafshim vitin tjetër në Republikën e Kosovës së lirë, të pavarur e sovrane”.
Pikërisht, tetë edicionet e para të Manifestimit “Flaka e Janarit’ që u mbajtën nën pushtimin e egër serb, jo vetëm që i dhanë fizionomi këtij Manifestimi por edhe e sforcuan synimin tonë për liri, por ishin edhe përcaktuese të jetëgjatësisë së tij, shkaku i misionit që mori dhe i doli zot, nderimin e martirëve, dëshmorëve e heronjve të kombit përmes vlerave më të arrira të artit.
“Flaka e Janarit” u bë atë kohë frymëzim për moshën e re po, edhe kurajo, për një moshë të shtyrë të popullatës sonë se, do të arrijmë në jetësimin e qëllimit për ku ishim nisur dhe udhëtonim me dekada. Ndërsa sot, është kthyer në përkushtim krijues e afirmues të vlerave kulturore kombëtare, përmes të cilave nderohet dhe jetësohet amaneti i flijimtarëve të kombit për një atdhe që njerëzit e vet i mbledh në një sofër të përbashkët.
Nëse i shikojmë në përmbajtje dhe në shpërfaqjen e po kësaj përmbajtjeje, Eedicioni i gjashtë dhe i shtatë i “Flakës …”, pa fije dyshimi, ishin edicionet më të realizuara të paraluftës. Ndërsa, edicionin e tetë e rrudhi në pjesë të madhe lufta dhe masakrimet serbe ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare, por, fatmirësisht nuk arriti për ta shuar “Flakën …” tonë, që ishte thjeshtë, flakë e luftës për liri. Ngulmimin tonë, më në fund e përfilli Zoti dhe miqtë tanë të cilët ndihmuan dhe u bënë krahë i fortë i çlirimit të Kosovës.
Nga viti 2000 e këndej, të gjitha edicionet e Manifestimit Kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit”, janë mbajtur në liri dhe në kushte shumë më të mira, përkundër disa vështirësive dhe mangësive të shfaqura në organizim dhe në përzgjedhjen e përmbajtjes së këtij Manifestimi, të cilat në një mënyrë ishin edhe të pritshme por që fatmirësisht u tejkaluan.
“Flaka e Janarit”, u zhvendos nga trekëndëshi Bresalc – Gjilan – Përlepnicë dhe u vendos aty ku e ka vendin, nën kupolën e institucioneve komunale, duke pritur që të mbështetet shumë më shumë se deri tash, edhe nga vetë institucionet qendrore, sidomos ato të kulturës po edhe nga vetë Presidenca e Kosovës që, në bazë të Kushtetutës, do duhej ta luaj rolin unifikues të popullit, të cilin rol e ka luajtur dhe demonstruar ky Manifestim në të gjitha edicionet e deritashme.
Në njëzetenjë edicionet e pasluftës, “Flaka e Janarit” u hap më shumë dhe u përafrua edhe me krisuesit e artistët shqiptarë të Maqedonisë e të Shqipërisë, pa i harruar dhe ata të Malit të Zi e të Kosovës Lindore, qoftë përmes artit pamor, atij letrar po edhe skenik e muzikor.
“Flaka e Janarit” nisur që nga fundi i viteve nëntëdhjeta e këndej, katër shtyllave të veprimtarive kryesore artistike si , FestFlakës, Penelit të Flakës, Talia-s së Flakës dhe Penës së Flakës ua dha fizionominë e duhur, të cilat, ku më shumë e ku më pak, bëjnë përpjekje për t’i tubuar e shpërfaqur vit për vit vlerat më të arritura artistikë nga hapësira mbarëshqiptare e më gjerë.
Brenda 28 ediicioneve të deritashme, pa e llogaritur dhe të 29 –tin që veç po ndodh, ua ka dhënë mundësinë për t’u dëshmuar dhe nderuar afro 10000 mijë krijuesve, nga të cilët, mbi 800 e sa, edhe janë shpërblyer.
Gjilani, me institucionet e saja dhe me të Zotin e Shtëpisë, ka bartur barrën kryesore të organizimit dhe të financimit të kësaj veprimtarie të madhe kulturore që zgjatë afërsisht tri javë.
Ky mund dhe ky investim, natyrisht që edhe është shpërblyer me vepra të reja e me afirmimin e kësaj komune në nivel kombëtar e më gjerë si dhe të vetë krijuesve të kësaj komune me krijuesit tjerë të hapësirës gjithëshqiptare.
Mendoj se, me një trysni më të madhe e pozitive ndaj institucioneve qendrore, do të arrihet që Manifestimi Kombëtar i Kulturës “Flaka e Janarit”, të trajtohet si institucion në vete, ku përmes një Koordinatori dhe katër përgjegjësve, do të komponohej një ekip prej pesë vetash, të cilët gjatë tërë vitit do të punonin në përzgjedhjen e vlerave më të mira në gjithë hapësirën shqiptare që krijohen dhe shfaqen e që do të vinin dhe do të konkurronin në një ediicion të përbashkët , jo për Çmime shtetërore po, për Çmimet në nivel kombi.
Gjilani, tashmë si qendër e Kosovës Lindore, që është dëshmuar në ditë më të vështira, besoj se mundet dhe do t’ia arrijë që në 30 vjetorin e “Flakës…” ta arrijë këtë nivel të organizimit, përkundër barrës e, përkundër çmimit. /2LONLINE.com/