Shkruan: Florim Zeqa
Secili qytetar i vendit tim e ka një përjetim të vetin emocional, e ka një histori personale dhe familjare gjatë jetës së tij, por jo të gjithë e kanë mundësinë e shprehjes publike të përjetimeve të tyre. Janë me fat ata që janë të lidhur me pushtetin, pasi rrëfimet e tyre bëhen më interesante, virale dhe mitologjike.
Mos i humbni librat për politikanët
Edhe pse janë shkruar shumë libra nga autor të ndryshëm, nuk është e përfshirë e gjithë ajo çfarë ka ndodhur përgjatë tre dekadave të fundit, e në veçanti gjatë luftës çlirimtare.
Janë historianët dhe shkrimtarët që duhet të shkruajnë për të kaluarën, ndërsa publicistët dhe gazetarët ata që duhet të intervistojnë qytetarët e harruar nga të gjitha pushtetet dhe partitë politike të pasluftës.
Asnjëherë nuk ka pasur më shumë autor librash sesa sot, por të pakët janë ata që lexohen, dhe më të pakët janë ata që vlerësohen. Librat që sponsorizohen nga pushtetet janë librat që më së paku lexohen, pasi lexuesi nuk e gjen të vërtetën në to.
Mirë nuk kalojnë as librat e autorëve të tjerë të cilët me mund dhe kosto të lartë financiare i nxjerrin në dritë librat e tyre, dhe librat e tyre shumë shpejt përfundojnë në koshin e mbeturinave akoma pa u lexuar, e në veçanti librat e dhuruar me dedikim personaliteteve të larta të politikës!
Kjo ndodh për shkakun se politikanët nuk janë të leximit dhe nuk marrin vesh nga mesazhet që autorët i përçojnë përmes shkrimeve në librat e tyre. Herën e fundit kur i kam dhuruar librin një politikani, as që e mori mundin t’i lexoj kopertinat e librit dhe e largoj duke m’i thënë këto fjalë: “Nuk kam kohë, e lexoj ndonjëherë në aeroplan”!
Falënderimi ndjenjë e mirë, mosmirënjohja zhgënjim për autorin
Prej tetë librave që i kam botuar nga buxheti familjar (njërin prej tyre dhuratë nga Gazata KOSOVA SOT), me qindra e qindra ekzemplarë i kam dhuruar me dedikim, me qindra të tjerë i kam shpërndarë gratis nëpër shkolla dhe librari, por e vetmja shkollë që e ka shprehur publikisht mirënjohjen për librat e dhuruar është SHFMU Jahë Salihu” në Molliq, përkatësisht drejtori i saj, Isa Zenuni. Kjo ishte një ndjenjë e mirë dhe satisfaksion i lartë për mua si autor i librit.
Por, jo çdo herë ka ndodhur kështu. Në një shkollë tjetër i kam dhuruar 15 ekzemplarë nga tre botimet e para, por nuk ndodhi asnjë falënderim publik dhe çka është më keqja, librat e dhuruar nuk janë më në sirtarët e bibliotekës, pasi ato janë zhdukur pa rënë në dorën e lexuesve për shkak të xhelozisë apo urrejtjes personale të dikujt nga stafi i shkollës!
Megjithatë, është ndjenjë e mirë për autorin kur pas shumë kohësh apo vitesh e takon përsëri librin e dhuruar në sirtarët e ndonjë biblioteke shkollore apo private, siq ishte rasti kur e vizitova mikun, të cilit para shumë viteve i kisha dhuruar librin tim të parë, të cilin e mbante në sirtarët e dhomës së pritjes.
Nganjëherë autori ndjehet keq kur i largohen miqtë dhe nuk i flasin më, të cilëve u ka dhuruar nga 5-6 kopie librash, por në fakt është i bekuar që është liruar nga soji i keq, të cilët mund të jenë gjithçka tjetër përveq njerëz jo. Miqtë e rrejshëm janë sikurse retë e zeza, kur ato largohen, dielli ngrohë më mirë! Dihet fati i librave të dhuruar! Libri i dhuruar mund të jetë i humbur, i harruar dhe i tretur njëkohësisht nga “miqtë” e larguar!
Më fal o libri im, nuk të humbën ata, por të humba unë! /2LONLINE/