Në Gjilan është përmbyllur Manifestimi Kulturor “Vjeshta Letrare e Gjilanit 2022”, në mënyrën më të mirë me ekspozimin e botimeve të këtij viti, por edhe të dy viteve paraprake, si dhe me dhurim librash për Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, në Gjilan por edhe për lexuesit e pranishëm në këtë aktivitet.
Ky aktivitet më se tremujor që organizohet tradicionalisht për çdo vit, nga Asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, me seli në Gjilan, Ars Clubi “Beqir Musliu”, përkrahur nga Biblioteka e Qytetit, pothuajse çdo të shtune solli përurime librash, portrete letrare, afirmim krijuesish e afirmim vlerash artistike, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Përndryshe, kreu i Ars Club “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi, tha se vjeshta e sivjetme letrare ishte e begatë në veprimtarinë letrare dhe afirmimin e librit dhe të shkrimtarit dhe se ky vit u përmbyll me 17 botime të reja letrare dhe katër numra të Revistës Letrare “Agmia”.
Rrustemi bëri me dije se 50 tituj me nga dy ekzemplarë do t’i dhurohen bibliotekës, kurse pati titujsh librash dhuratë edhe për lexuesin në këtë fundvit.
Përndryshe, ai tha se sivjet janë botuar libra cilësor, pati një vjeshtë të bereqetshme letrare, referime të shkëlqyera, deklamime, udhëheqje e promovime të librit.
Rrustemi ka kërkuar që “Vjeshta Letrare” të përkrahet edhe më tej nga Komuna e Gjilanit e ky është edicioni i trembëdhjetë. Ai ka kërkuar më shumë përkrahje për librin, ngase libri e meriton, qoftë edhe mbështetje nga ministria, transmeton 2LONLINE.com.
“Libri të ushqen shpirtërisht, por krijuesi është qenie njerëzore edhe ai meriton përkrahje”, tha Sabit Rrustemi, për të shtuar edhe se “është i lumtur për punën e bërë, ngase këta libra nuk janë libra çfarëdo, por ndër më të mirët, botime të zgjedhura, në poezi, por edhe në zhanret e tjera letrare”.
Ai ka falënderuar edhe botuesin Emin Azemi, i cili sivjet nëpërmjet Shtëpisë Botuese “Agora” nga Shkupi, si dhe gjatë numra të Revistës “Juvenilia”.
Nga ana e tij, Qazim Azizi, drejtor në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli”, ka falënderuar për librat që i janë dhuruar bibliotekës dhe ka shtuar se nuk ka kënaqësi më të madhe për bibliotekën se sa kur merr libra e sot një gjë e tillë ndodhi në këtë bibliotekë, që u pasurua me tituj të rinj.
“Poetët e letrarët janë miq të bibliotekës, sikurse që i ka miq edhe lexuesit, nxënësit e studentët që mbushin sallat”, ka thënë Azizi. /2LONLINE/