Në Bibliotekën e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, aktivi i profesorëve të gjuhës dhe letërsisë shqipe, nën udhëheqjen e profesoreshës Shqipe Sijarina – Jakupi dhe në bashkëpunim me profesoreshën Diana Mustafa dhe nxënësit e përzgjedhur të klasave të dhjeta është mbajtur një aktivitet kulturor për shënimin e Ditës Botërore të Librit.
Nxënësit pjesëmarrës në këtë aktivitet kanë publikuar rezultatet e një hulumtimi se a lexojnë, sa lexojnë dhe kur lexojnë nxënësit tanë. Në këtë aktivitet është paraqitur edhe panoja – kolazh me veprat e shkrimtarëve botërorë dhe shqiptarë dhe me thënie për librin që shfaqen si rreze që ndriçojnë mendjen. Aktivitet tjetër ishte edhe realizimi i kopertinës së librit të parë shqip.
Në këtë ditë të veçantë për librin janë shpallur edhe lexuesit më të dalluar në Bibliotekën e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” për vitin shkollor 2022/2023 e që kësaj radhe ishin Melos Hajrullahu nga paralelja XI/1 dhe Vesë Maliqi nga paralelja XII/8. Nxënësit fitues janë shpërblyer me nga një libër, të cilin ua ka dhuruar Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”.
Nxënësit pjesëmarrës në këtë aktivitet realizuan një lexim simbolik edhe atë për një orë në sallën e bibliotekës si qëllim vetëdijesimi për rëndësinë e leximit.
Siç ka theksuar profesoresha Shqipe Sijarina – Jakupi, qëllimi i aktivitetit është sensibilizimi për rëndësinë e leximit si komponent kryesor për formimin intelektual dhe pasurimin kulturor, por edhe te nxisim kreativitetin te nxënësit dhe zhvillimin e mendimit kritik. /2LONLINE/