(2L ONLINE) – Është përkujtuar sot me anë të një akademie përkujtimore luftëtari i tri luftërave çlirimtare, respektivisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Feriz Qerimi, i njohur si Feriz Llovca, I pranishëm ka qenë kryetari i Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri, nën përkujdesjen e të cilit është mundësuar akademia përkujtimore, nënkryetari Rexhep Kadriu, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, ish-përfaqësuesi i UÇPMB-së, Jonuz Musliu, përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta si dhe miq e familjar, njofton zyra për informim e komunës së Gjilanit.
Në fjalën e rastit, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri tha se Feriz Llovca i është bashkuar idealit të dëshmorëve të mëdhenj për të jetuar në një shtet të bashkuar.
“Rruga është në gjysmë edhe për bashkëluftëtarët e tij edhe për Ferizin, nuk ka përfunduar, rrugë e cila në idealet e të gjithë neve, e në veçanti të luftëtarëve, është rrugë që të jetojmë bashkë, në një vend të bashkuar. Ky pasqyrim gjithmonë është sublimim i luftës së Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit, Agim Ramadanit, tre emra që luftuan në tri epoka të ndryshme, por për një qëllim. Kësaj rruge, të këtij ideali dhe këtij përkushtimi, i është bashkuar edhe Ferizi dhe bashkëluftëtarët e tij kudo”, ka thënë Haziri, duke kërkuar nga organet e drejtësisë që të zbardhet vrasja makabre e tij para disa vitesh nga persona akoma të panjohur.
“Vrasja e Ferizit dhe të shumë veprimtarëve të tij duhet të zbardhet, drejtësia duhet të vendoset në vend. Fatkeqësisht ai humbi jetën në lirinë e Kosovës. Duhet të zbardhen vrasjet sepse ata mund të pushojnë të gjithë të qetë dhe atëherë mund të themi se e kemi mbërri qëllimin për atë që ata kanë luftuar”, pohoi Haziri.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha është nderë i veçantë që po merr pjesë në këtë përkujtimore, nga fakti se Feriz Llovca fillet e para të luftës i ka nisur në Zonën Operative të Dukagjinit.
“E di që të gjithë ata që e kanë njohur Ferizin janë të fortë, besojnë në lirinë e vendit, në institucionet e vendit, besojnë në drejtësi sepse edhe Kosova si çdo vend tjetër do ta ketë drejtësinë. Për mua është një nderë i veçantë të marrë sot pjesë edhe për faktin se fillet e para të luftës Ferizi i ka nisur në Zonën prej nga vie unë, prandaj me respekt i thërras jetës veprës dhe luftës së Ferizit”, është shprehur Haradinaj.
Ndërsa Jonuz Musliu, ish përfaqësuesi politik i UÇPMB-së, i cili ka vepruar bashkë me Ferizin, tha se ky i fundit ka qenë trim e luftëtar i madh dhe i vendosur për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare.
Në fund të përkujtimores është shfaqur një dokumentar televiziv. /2L ONLINE/