Kuvendi i Kosovës do ta shqyrtojë çështjen e Forcave të Armatosura të Kosovës, në seancën që do të mbahet me 5 maj.
Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur sot. Në mbledhje është diskutuar edhe për vendet e rezervuara për komunitetet pakicë, ku partitë politike kanë pasur qëndrime të ndryshme.
Shefi i Grupit të LDK-së, Ismet Beqiri tha se LDK do të votojë pa asnjë dyshim, pro themelimit të FAK-ut, por ajo që është e sigurt sipas tij, është se LDK nuk do të votojë kurrë për vendet e rezervuara.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se ata nuk janë për të bërë marrëveshje për këto çështje por si Kuvend kanë kërkesë për shqyrtimin dhe miratimin e amendamenteve të Qeverisë dhe shumica do të vendos.
Ndërkohë shefi i grupit parlamentar të AAK-së ardian Gjini tha se janë pro themelimit të FAK-ut madje sipas tij, nëse nuk votohen tash do ta humbin një shans për të pasur Ushtrinë e Kosovës.
Ndërsa Vetëvendosje kanë mbrojtur qëndrimin e tyre që janë kategorik kundër vazhdimit të ulëseve të rezervuara duke e kushtëzuar atë me themelimin FAK-ut.