Komisioni Evropian hap më 28 nëntor negociatat me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit pa marrë pëlqimin paraprak të të gjitha vendeve të BE-së, duke përdorur artikulli i 47 i Traktatit të Lisbonës.Në rrugën e procesit drejt integrimit Evropian, hapja e negociatave të MSA-së është hapi më i madh që Kosova ka arritur deri më tani. Me 28 tetor për këtë qëllim në Kosovë pritet të arrijë komisionari për zgjerim Shtefan Fyle.
Lajmi për Radio Kosovën është konfirmuar nga zëvendësministri i integrimeve Gëzim Kasapolli.Zyrtarët e institucioneve të Kosovës deri më tani, në deklarimet e tyre në media janë shprehur optimist se negociatat me Bashkimin Evropian sa i përket Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, do të përmbyllen shumë shpejt. Duke u nisur nga fakti se Kosovën ende nuk e kanë njohur pesë vende të Bashkimit Evropian, është e pritur që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit për Kosovën të mos ratifikohet nga Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro. Ky qëndrim pritet të ndryshojë nëse ndonjëra nga këto vende e njeh pavarësinë e Kosovës deri sa të vijë koha e ratifikimit të marrëveshjes.
Mirëpo, Komisioni Evropian nuk sheh pengesa në këtë drejtim, pasi në rastin e Kosovës do të vihet në funksion artikulli i 47 i Traktatit të Lisbonës.Ky artikull i jep të drejtë, Komisionit Evropian që të nënshkruajë MSA-në me Kosovën në emër të të gjitha vendeve të BE-së, qoftë edhe pa u ratifikuar në parlamentet e vendeve anëtare. Tashmë, është e ditur se kryesuese e palës kosovare në negociatat për MSA do të jetë Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ndërsa në krye të negociatave nga BE-së do të jetë Jost Korte, zëvendësdrejtor në Drejtorinë e përgjithshme për zgjerimin në Komisionin Evropian./koha.net/