Gjykata e Apelit do të vendosë lidhur me atë nëse Nazim Bllacës do t’i llogariten si burg edhe ditët që ka kaluar në shtëpi si dëshmitar i mbrojtur. Një panel gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit do të mblidhet më 20 mars për të shqyrtuar kërkesën e avokatit të Bllacës Osman Havolli.
Avokati Havolli i cili sipas detyrës zyrtare e mbron Bllacën në rastin “Bllaca III” ka kërkuar nga shkalla e dytë që të akuzuarit Bllaca t’i njihet koha e kaluar në shtëpi si i mbrojtur nga EULEX-i si kohë e paraburgimit.
Havolli konfirmon për gazetën “Tribuna” se më 20 mars do të mbahet seanca për kërkesën e tij. “Më 20 mars në orën 10 në Gjykatën e Apelit në Prishtinë mbahet seanca e shkallës së dytë pranë gjyqtarëve të EULEX-it në rastin ‘Bllaca III’”, tha Havolli. Nazim Bllaca u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg më 19 korrik të vitit që shkoi. Prej tyre, do të vuajë një vit më pak.
Trupi gjykues në marrjen e aktvendimit ia llogariti një vit të qëndrimit të Bllacës nën masën e “arrestit shtëpiak”, nga nëntori 2009 deri nëntor 2010. Bllaca, pretendon se gati edhe tri vitet sa qëndroi nën sigurinë e mbrojtjes së afërt, t’i kalkulohet si “arrest shtëpiak”. Nëse do të pranohej kjo nga gjykata, atëherë për vrasjen e Ibush Kllokoqit me 3 gusht 1999 në Prishtinë, praktikisht Bllaca do të vuante vetëm gjashtë muaj burg.