Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, më anë të një statusi në rrjetin social “Facebook’ Ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të fundit të shiut në rrugën rajonale R 106, Pejë-Kullë, ka pasur rrëshqitje të masivëve të gurëve dhe të dheut, gjë që ka bllokuar këtë rrugë.
Lekaj, po ashtu ka njoftuar se Ministria e Infrastrukturës ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes nëpërmjet kompanisë kontraktuese, por nuk është arritur që të mundësohet qarkullimi i lirë i automjeteve, ndërsa në konsultim me inxhinierët e ministrisë, kjo rrugë është mbyllur për qarkullim për 24 orët e ardhshme.
“Qytetarë të Kosovës, reshjet e dendura të shiut, dje dhe sot, kanë bërë që rruga rajonale që të dërgon për në shtetin fqinj, Mal të Zi, R 106, Pejë-Kullë, të bllokohet nga rrëshqitja e një masivi të madh të gurëve dhe dheut, në segmentin mbi doganë. Intervenimi i Ministrisë përmes kompanisë ka qenë i menjëhershëm, por pa efektin për të mundësuar lëvizjen e lirë të automjeteve. Duke qenë se rreziku vazhdon të ekzistojë, në konsultim me inxhinierët tonë, kemi konstatuar se rruga duhet të mbyllet për 24 orë. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe ju sugjerojmë që të zgjidhni rrugë alternative”; ka shkruar ministri Lekaj në statusin e tij në “Facebook”.