Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e javës së 19-të në Superligë, ndërsa tashmë kampionatin e kryeson FC Ballkani me 40 pikë. Kjo pasi, këtë të dielë, Ballkani shënoi fitore prej tre golash epërsi ndaj Ferizajt, në Suharekë.
Këtë herë ‘portokallinjtë’ e mposhtën skuadrën e Ferizajt me rezultat të pastër 3-0, falë golave të realizuar nga Edvin Kuç, Arbër Hoxha dhe ‘gardiani’ Armend Ruxhi, i cili realizoi nga penaltia.
Fitoret tejet të vlefshme realizoi edhe Gjilani që në shtëpi mposhti skuadrën e Flamurtarit me rezultat 2-0. Sebino Plaku dhe Tomislav Busiç realizuan për fitoren e 11-të sezonale të ‘kuqebardhëve’ që tashmë ngriten në kuotën e 35 pikëve.
Trepça ’89 e ka mposhtur në ndeshjen tjetër Dukagjinin me përmbysje falë dy golave të realizuar nga Arb Manaj. Ndërkohë, që Mark Milicaj kishte realizuar golin e vetëm për skuadrën nga Klina.