Mbulesa e akullt në perëndim të Antarktidës ka nisur të shkrihet duke humbur një të katërtën e vëllimit të saj, sipas një hulumtimi të bërë nga Universiteti i Lidsit në Britaninë e Madhe.
Nga hulumtimi bazuar në të dhënat satelitore, që shkencëtarët kanë siguruar gjatë 25 viteve, konstatohet se në disa rajone të pjesës perëndimore të Antarktidës mbulesa e akullt është holluar 122 metra.
Andy Shepherd, kreu i Qendrës për Vëzhgimin dhe Modelimin Polar në Britani, tha se në perëndim të Antarktidës mbulesa e akullt ka humbur rreth një të katërtën e vëllimit të saj.
Ai theksoi se shkrirja e akujve shkakton rritjen e nivelit detar duke shtuar se shkrirja e mbulesës së akullt në perëndim dhe lindje të Antarktidës që nga viti 1992 ka bërë që niveli detar në botë të rritet rreth 4,6 milimetra.