Intervistë me z. Jeton ARIFI, Drejtor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Intervistoi: Dashnim HEBIBI
* Si e shihni Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale pas më shumë se pesë vjet funksionimi?
Duke pasur parasysh faktin që ky institucion është i mandatuar që të zbatojë një ligj, fushëveprimtaria e të cilit është krejtësisht e re në vendin tonë, niveli i vetëdijesimit të qytetarëve për të drejtat e tyre në privatësi, si dhe i ndërgjegjësimit të përpunuesve të të dhënave personale është i kënaqshëm. Këtë po e them, jo vetëm duke u bazuar në hulumtimet empirike që kemi bërë, por edhe duke e krahasuar këtë institucion të ri me autoritetet simotra të rajonit e të Evropës Qendrore, të cilat janë themeluar, të paktën, para një dekade.
Fakti që ne pranojmë kërkesa e ankesa, çdo ditë e më shumë, të lidhura me çështjen e të dhënave personale, dëshmon se fushatat vetëdijesuese të lancuara prej nesh, kanë pasur ndikim te qytetarët dhe ata e dinë adresën se ku duhen drejtuar sa herë që konsiderojnë që të dhënat e tyre po përpunohen kundërligjshëm.
* Në paraqitjet e juaja në mediume, më së shpeshti e përdorni termin ‘privatësi’, ndërkaq institucioni juaj ka për mandat mbrojtjen e të dhënave personale. Na tregoninëse bëhet fjalë për të njëjtën gjë, apo ka dallime midis të dhënave personale dhe privatësisë?
Më keni bërë një pyetje shumë të qëlluar. Privatësia, në përgjithësi, mund të shihet si gjendje apo situatë kur individi gëzon lirinë e veprimit apo qëndrimit pa qenë i vëzhguar ose shqetësuar nga publiku (njerëzit tjerë). Termi privatësi mund të përkufizohet edhe si gjendje pa praninë e ndërhyrjes së paautorizuar. Gjithashtu, privatësi konsiderohet e drejta e individit për të mbajtur çështjet apo marrëdhëniet personale të fshehta nga të tjerët.
Në anën tjetër, e dhënë personale është çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm.
Si konkluzion, privatësia, si tërësi e tëdrejtave të individit për të pasur lirinë që të mos jetë i shqetësuar, ndikuar, përgjuar, mbikëqyrur në mënyrë të fshehtë etj., duhet parë si koncept më i gjerë sesa fusha e të dhënave personale, e cila mbetet pjesë përbërëse e konceptit mbi privatësinë, por si këndvështrim më i ngushtë, i përqendruar vetëm në të dhënat personale.
* Sa kanë njohuri qytetarët e Republikës së Kosovës rreth të drejtës së tyre në privatësisë?
Kategoria e qytetarëve, e cila, sipas nesh, ka njohuri më të thella rreth të drejtës në privatësi është komuniteti i gazetarisë, punonjësit e administratës së shtetit (përfshirë këtu punonjësit arsimorë dhe shëndetësorë), si dhe ata që janë të punësuar nëpër banka, kompani sigurimesh etj., brenda sektorit privat.
Në një anketim të zhvilluar verën e vitit të kaluar, të gjeturat rreth njohurive të qytetarëve mbi të drejtat e tyre në privatësi, lenin për të dëshiruar, pra nuk ishin të nivelit të kënaqshëm. Kjo na ka shtyrë që të dyfishojmë aktivitetet vetëdijesuese në kuadër të planit vjetor të punës. Nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, Agjencia ka filluar ti kushtojë rëndësi të posaçme fushatave vetëdijesuese dhe ndërgjegjësuese, duke aplikuar metoda të ndryshme të lancimit të tyre, me qëllim që të prekë çdo kategori të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
* Kamerat e sigurisë, gjegjësisht aplikimi i sitemit të vëzhgimit me kamera në objekte dhe hapësira publike është përhapur shumë. Meqë kjo çështje i takon Agjencisë,çfarë keni bërë konkretisht në këtë drejtim?
Sapo prekët një temë, për të cilën, qytetarët na drejtohen më së shumti me ankesat e tyre. Duke pasur një vëllim të madh pyetjesh, kërkesash e ankesësh që lidhen drejtpërdrejt me çështjen e kamerave të sigurisë, edhe ne jemi përkushtuar që t’i kushtojmë vëmendje të veçantë sistemittë vëzhgimit me kamera, si në ndërtesat zyrtare apo të biznesit, ashtu edhe nëpër objektet banesore.
Qysh në vitin e parë të funksionimit, Agjencia ka prodhuar një shenjë paralajmëruese (të cilën, e keni të pamundur të mos e shihni kudo nëpër objekte të bizneseve private apo ndërtesa institucionesh), ngjitja e së cilës, në hapësira të dukshme, ku ka të instaluara kamera është kriteri bazë sipas ligjit. Gjatë pesë viteve të para, kemi zhvilluar shumë inspektime, sipas detyrës zyrtare, duke i informuar përfaqësuesit e sektorit publik e privat rreth kritereve të parapara me ligj për instalimin e kamerave të sigurisë.
Në vjeshtën e vitit të kaluar, ne publikuam një udhëzues të posaçëm për kamerat e instaluara në objektet e institucioneve arsimore të të gjitha niveleve.
* Në kohën tonë, pavarësisht të mirave dhe përparësive që mund t’i ketë zhvillimi i hovshëm i teknologjisë, përballja me këtë zhvillim vë në pah shqetësimet e njerëzve mbi privatësinë e tyre si dhe keqpërdorimin e të dhënave personale.Si e interpretoni ju raportin midis përparësive që na jep teknologjia e avancuar dhe efekteve negative që ajo mund të na sjellë në privatësi?
Është i pakontestueshëm fakti që zhvillimi i hovshëm i teknologjisë (informative) ka ndikuar dukshëm në lehtësimin e mënyrës së jetesës sonë, në përgjithësi, dhe e ka përshpejtuar shkëmbimin e informacioneve dhe komunikimin midis njerëzve, në veçanti. Natyrisht, edhe teknologjia ka anën tjetër të ‘medaljes’, e cila, sot përbën shqetësim të madh për dimensionin e privatësisë së individit. Vështirë të bëhet një krahasim adekuat midis raportit të përparësive dhe rreziqeve që na sjell përdorimi i madh i teknologjisë informative. Unë jam i prirur t’i shoh gjërat me sy pozitiv, andaj edhe në këtë rast, them që dobitë janë dukshëm më të mëdha sesa aspekti i kundërt, por ky vlerësim mund të mos jetë i qëndrueshëm për ata që nuk i përfillin masat e sigurisë gjatë shfrytëzimit të kësaj teknologjie.
Fatkeqësisht, vetëm pasi të jemi përballur me pasojat e privatësisë së shkelur, ne fillojmë të shprehim shqetësimin tonë dhe ta kërkojmë fajtorin. Për të mos e vënë veten para aktit të kryer, do të ishte mirë që të bindim veten që mbrojtja e të dhënave personale, respektivisht e privatësisë fillon pikërisht prej nesh. Kjo gjendje paprekshmërie, në kuptim të sigurimit të hapësirës së pacenuar private, ku gjithçka personale i nënshtrohet pëlqimit tonë paraprak, varet kryesisht prej nesh, pra se sa i kushtojmë kujdes mbrojtjes së të dhënave tona, kujt i japim qasje në to, e kështu me radhë.
* Cila është gjendja aktuale e autoritetit të vetëm të mandatuar për t’a mbrojtur privatësinë e qytetarëve?
Një institucion jo shumë i madh (përafërsisht si në çdo shtet tjetër) me vetëm tetëmbëdhjetë shërbyes civilë të punësuar. Funksional, me kapacitetet e veta në shërbim të realizimit të të drejtave të qytetarëve, në dispozicion të kontrolluesve të të dhënave personale për këshillëdhënie dhe plotësisht transparent. Aktualisht, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilin e zbaton kjo Agjenci është në plotësim ndryshim, pas ndryshimit dhe miratimit të së cilit, presim fuqizimin e këtij autoriteti e mbase edhe shtimin e përgjegjësive të reja.
* Përveç punëve të përditshme të zakonshme në zyrë, takimeve e pjesëmarrjeve nëpër konferenca ndërkombëtare, me çka po merreni më konkretisht në këtë periudhë?
Aktualisht jemi duke e jetësuar një projekt të karakterit ndërgjegjësues, i cili do të materializohet në gjysmën e dytë të prillit të këtij viti. Bëhet fjalë për një ekspozitë pikturash të realizuara nga njëzetë studentë të Fakultetit të Arteve Figurative të UP-së, në të cilën do të ekspozohen vepra sipas temës ‘Privatësia e Shkelur’, të porositur nga institucioni ku punoj. Qëllimi i krejt kësaj është që, përmes kreativitetit të shprehur në pikturë nga studentët e artit figurativ, qytetarët të shohin gjendjen kur mungon privatësia e individid dhe nga kjo të reflektojnë se çfarë mund të jenë pasojat kur kjo e drejtë shkilet nga të tjerët. Besoj që kjo ngjarje do të zgjojë kurreshtjen e qytetarëve për ta vizituar galerinë ku do të ekspozohen këto vepra dhe që ato të ndikojnë pozitivisht në vetëdijesimin e tyre për të qenë sa më të kujdesshëm në ruajtjen e privatësisë së tyre në epokën e dixhitalizimit.
* Një porosi të karakterit këshillues për lexuesit tanë?
Vështirë të thuhet shumë me pak fjalë. Mjafton ta kemi parasysh që teknologjia ekziston që ta shfrytëzojmë për qëllime të ligjshme dobiprurëse, por pa harruar që ne lëmë gjurmëtë pashlyeshme përmes tyre. Këto gjurmë mund të jenë lehtësisht të shfrytëzueshme edhe për qëllime jo të mira.
Sidoqoftë, qytetarët tanë gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me ligj dhe ato mund t’i realizojnë duke i adresuar shqetësimet e tyre të ndërlidhura me privatësinë te kujdestari i privatësisë së tyre, pra në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ju faleminderit për kohën tuaj dhe për informatat e këshillat që ndatë me lexuesit tanë!