Mehmetali Rexhepi, drejtor në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, në vitet: 2009-2012
Mes konceptit mësimdhënie e mësim-nxënie është arsimtari, subjekti i mësimdhënësit dhe janë nxënësit, subjekte të mësim-marrjes. Mirëpo, për të arritur mësim-dhënia deri te mësim-nxënia është një udhë së cilës i bashkohen një varg faktorësh dhe pa këta faktorë nuk ka arritje. Vajtje-ardhja mes dy fushë-veprimesh nuk është e thjeshtë, as e lehtë. Secili faktorë lyp vendin e vet. Çfarë jepet nga mësim-dhënia? Si jepet e si merret mësim-nxënia? Përgjigjet për pyetje të tilla ngërthejnë ndërtimin e teorisë dhe të praktikës, e cila prore mësyn përsosjen e metodologjisë të sferës përkatëse. Sfera e veprimtarisë arsimore është e gjerë, e ndërlikuar dhe prore evolutive.
Për ta përparuar metodologjinë e vlerësimit të arritjeve të përgjithshme dhe të veçanta, të personelit mësim-dhënës e të nxënësve, pra marrëdhëniet – dhënie-marrje – arsimtarë-nxënës, në arsimimin e mesëm të lartë, shkollën e këtij niveli e ndihmojnë: plan-programet e reja, bashkëkohore, të ngritura në përvojën e studiuar, zbatimi i metodologjive të përparuara dhe prekja e rezultateve, si tregues të cilësisë së zbatuar dhe të përvetësuar të njohurive; gjithnjë në funksion të mirëqenies së njeriut e burimeve të natyrës së eksploruar.
Pa u thelluar më tej në këso shqyrtimesh teorike e metodologjike, më duhet t`i kthehem e ta nënvizoj, me pak fjalë, një portret veprues të arsimtarit, portretin e mësimdhënësit Safet H. Rexhepi, profesor i Gjeografisë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Gjatë viteve 2009-2012, kam pasur nderin të jem drejtor, udhëheqës i njërit nga gjimnazet më të mëdha në Kosovë, i Gjimnazit “Zenel Hajdini” të Gjilanit.
Në periudhën kur kam drejtuar mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor, Gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan, ishte profilizuar në pesë drejtime: Drejtimi i Shkencave të Natyrës, Drejtimi i Shkencave të Shoqërisë, Drejtimi Matematikë-Informatikë, Drejtimi i Gjuhëve dhe Drejtimi i Përgjithshëm.
Mësimdhënësi i lëndës së Gjeografisë në këtë gjimnaz, Safet Rexhepi u karakterizua për përkushtimin e tij në mësimdhënie, në punë me nxënës dhe për nxënës edhe jashtë orëve të rregullta të mësimit. Përvoja e këtij mësimdhënësi, më parë kishte punuar në Gjimnazin “Ismail Qemali” të Kamenicës, pastaj pandërprerë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, pa asnjë orë të humbur, asnjë mungesë për çfarëdo arsye, dëshmuan zellin e pasionin e posaçëm të mësimdhënësit Safet, për respektin dhe etikën maksimale, si njëri nga pedagogët më të përgjegjshëm të gjimnazit. Brezat e nxënësve të tij patën fatin të kishin një pedagog të tillë, gjithnjë veprues, i buzëqeshur, i pa përtesë, i hapur dhe komunikues, si brenda dhe jashtë orëve të planifikuara të lëndës së Gjeografisë për nivelet e klasave përkatëse.
Mësimdhënësi i Gjeografisë në gjimnaz, Safet H. Rexhepi për çdo fund viti mësimor, organizonte kuisin e diturisë për të gjitha klasat ku parashihej mësimi i lëndës Gjeografi. Krahas përgatitjeve për orët e tija të rregullta të mësimit, ai përgatitej tre fish më tepër për zgjedhjen, formulimin e pyetje-përgjigjeve me shkrim, duke përdorë mjete të konkretizimit: harta fizike e të relievit, aso për qytete, vendbanimet e lokalitetet, hartat e burimeve minerare, të pasqyrimit të zhvillimit ekonomik, lëvizjet demografike të popullsisë përmes treguesish grafikë e legjendash të kësaj sfere.
Kuisi i diturisë i lëndës së gjeografisë, qoftë me karakter garues, njohës, përshkrues, përkufizues e popullarizues, arriti të fuste në veprim dhjeta e qindra nxënës, për t`ua matur e vënë në pah shkathtësitë, njohuritë, shprehitë e të mësuarit, shkurtësinë e saktësinë e përgjigjeve, për të depërtuar në thelbin e lëndës.
Profesorit Safet, edhe kur ndihmohej sadopak, edhe kur nuk ndihmohej sa duhej nga aktivi profesional i lëndës, i binte barra t`i merrte mbi supe të veta të gjitha përgatitjet, shtjellimin dhe përfundimin e karakterit garues, për t`i spikatur shkathtësitë, aftësinë, artikulimin e drejtpërdrejtë të përgjigjeve, ritmet dhe ethet garuese të nxënësve pjesëmarrës.
Në veprimtari të tilla, të cilat quheshin “aktivitete të lira”, jo të gjithë mësimdhënësit kishin vullnetin të merreshin me organizime vullnetare. Madje, disa sish nuk kishin kurrfarë konsiderate për ato veprimtari, ngase nuk paguheshin për to?! Ndonjëri sish, pa ngurrim i quante si “bjerrje kohe!”
Në gara të tilla, me ritme të shpejtuara impulsesh të zemrave të nxënësve e nxënëseve garuese, të shumtën e herëve me prani të prindërve e drejtues të DKA-s, gumëzhinin klasat e korridoret e shkollës. Shfaqej një gjallëri e shtuar rinore… Mes nxënësish Safet Rexhepi, i tëri i djersitur, me shqetësimin për t“ia dalë mbanë dhe krenar qëllimit të parashtruar.
Këto pohime nuk janë tullumbace hiperbolash të fryra, të cilat fryhen, zmadhohen, aq sa nga fryrja e tepruar pëlcasin në gjembin e parë të realitetit. Pohimet e këtilla janë mbresa e dëshmi të pranisë sime në këso veprimtarish vullnetare, organizuar nga Safet Rexhepi. Secilën herë pas ftesës gojore, nuk ka munguar prania ime aty, mes nxënësish; meqë kam ndjerë peshën dhe vlerën organizative të atyre veprimtarive, andaj detyrimi im është përshkuar nga ndjeshmëria dhe etika njerëzore, nga përkatësia institucionale e profesionale. Për mua ishte kënaqësi të isha në mjedise klasash, ndërsa për profesorin përtrollitje e përkushtimit tij disa mujor.
Vështruar nga kënd-shikimi i sotëm, do të ishim të njëanshëm, në qoftë se nuk e vlerësojmë dhe nuk e çmojmë tërë atë qasje të përkushtuar, shumëvjeçare, të pa rëndomtë në përkushtimin e saj, tërë atë zell e vullnet të paepur të prof. Safetit për interesin e nxënësve, për interesin e shkollës.
Një vullnet e përkushtim kësisoj, ato prirje për përmbushje rezultatesh mësimore, nuk viheshin sa e si duhet në dukje, as spikateshin në mjedisin tonë të kapluar nga indiferenca dhe paragjykimi, as merrej ndonjë model i tillë!
Spikatja e diturisë, e çdo trajte të saj, që është paraprijëse e rrjedhave bashkëkohore të qytetërimit, gjen shprehjen e përmbushjes vetëm në mjedise plotësisht të vetëdijesuar për rolin prijës të arsimtarit.
Safet H. Rexhepi la gjurmët e veta me vullnetin e veçantë për hapje horizontesh të dijes për nxënës. Vullneti i tij u shënua në kujtesën e nxënësve, sikurse kjo dëshmi që po shkruhet për tu nderuar, çmuar dhe admiruar kontributi jetësor i prof. Safetit.