Prej asaj dite të fill pasluftës së fundit në Kosovë, kur ushtarët e KFOR-it francez vendosën telat me gjemba mbi urën e Ibrit, qyteti i Mitrovicës dhe pjesa veriore e Kosovës ishin të ndara prej pjesës tjetër të vendit tonë dhe shumica e banorëve të Kosovës e di mirë se si kanë rrjedhur ngjarjet nga ajo ditë e këndej, në veri, matanë lumit Ibër.
Shkruan: Arsim Kastrati
Të vetmet elemente aktuale /përpos vijës kufitare të ditur kahmoti/ që e bëjnë veriun e Kosovës të duket si pjesë e saj, kanë derivuar nga bisedimet e Brukselit dhe ato janë: pikat doganore, policia, pjesët e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, të cilat jo që bëjnë kushedi se çfarë pune, por vetëm fakti që veprojnë nën ombrellën e institucioneve të Republikës së Kosovës , bënë që këtij territori t’i vije pak era Kosovë.
Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që dialogu i Brukselit ka qenë së tepërmi i dobishëm për ne, përkundrazi nga ai ka përfituar Serbia më tepër, por në anën tjetër sfida e Kosovës ishte dhe vazhdon të jetë e rëndë, dhe kjo ka të bëjë me integrimin në tërësinë e saj të kësaj pjese problematike e të dalë dore.
Kjo për faktin që ky territor nuk u çlirua asnjëherë nga okupacioni i Serbisë dhe në të cilin kjo e fundit edhe sot e tutje vazhdon të ketë ndikim më shumë se sa Republika e Kosovës pjesë e së cilës është.
Duke e pasur këtë parasysh si dhe ndryshimet dramatike në skenën politike ndërkombëtare, të cilat kohëve të fundit i kanë shkuar për shtati nacionalizmit serb në Ballkan, nuk është e vështirë që të paramendohen sfidat dhe problemet me të cilat është ballafaquar dhe do të ballafaqohet Republika e Kosovës gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë.
Këto ndryshime në politikën ndërkombëtare, kanë të bëjnë me krizën më të thellë të BE-së që nga themelimi i saj e këtej, pastaj me fuqizimin e rolit të Kinës dhe Rusisë si superfuqi botërore si dhe mosmarrëveshjet e tyre me SHBA-të, roli i të cilave deri para pak kohe ishte unikal dhe i pasfiduar në arenën gjeopolitike botërore.
Për interesat e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi është brengosës fakti i involvimit gjithnjë e më të madh të Rusisë në çështjet e pazgjidhura politike të Ballkanit perëndimor.
Larg zërave naiv që klithin kundër dialogut, ai do të vazhdojë nëse për të janë fuqitë botërore të angazhuara rreth tij, por edhe nëse ai dështon për shkak të rolit eventual sabotues të Rusisë dhe Serbisë, prapë se prapë, kjo e fundit do ta vazhdoj dialogun sa për sy e faqe, duke iu lutur Zotit ndërkohë që, fajet për dështimin e tij t’i atribuohen Kosovës dhe shqiptarëve të saj.
Kur të fortët thërrasin në bisedime nuk është mençuri të thuhet – jo dhe as ‘ jo sot, po nesër’ për më tepër që është në interesin tonë të shkojmë edhe atë të përgatitur mirë!
Zhvillimet e rëndësishme politike që kanë të bëjnë me integritetin dhe sovranitetin shtetëror nuk janë ekskluzivitete qeveritare, partiake apo personale, ato janë çështje madhore nacionale dhe kërkojnë konsensus politik të atillë sikur që e kishim në bisedimet Rambujesë dhe të Vjenës!
Nuk ka nevojë të shpiket “uji I vakët”, por ashtu si kemi shkuar në bisedimet e Vjenës ashtu duhet të shkojmë edhe në Bruksel, dhe në këtë proces as nuk është mirë që spektri politik qeveritar dhe presidenti të shkojnë pa opozitën dhe as nuk bënë që opozita të vendos kushte karshi presidentit apo partive qeveritare!
Nuk duhet ushqyer shpresa se në fundin e procesit dialogues të gjitha dëshirat e Kosovës do të plotësohen kurse ato të Serbisë të gjitha do të refuzohen – “ asnjëra palë nuk do të lumturohet!” deklaroi paradokohe ambasadori i SHBA-ve në Beograd, ashtu sikur që janë shprehur edhe diplomatë të tjerë ndërkombëtarë, ashtu sikur që janë shprehur disa herë edhe Aleksandar Vuqiqi dhe Hashim Thaçi, kryenegociatorët aktual të këtij procesi maratonik dialogues të lehtësuar nga BE-ja.
Askush nuk është mirë të shmanget vet e as të përpiqet t’i mënjanojë të tjerët nga ky proces tejet i rëndësishëm, rezultati final i të cilit në pjesën më të madhe varet më shumë nga faktorët ndërkombëtar të angazhuar rreth tij e më pak nga palët e ballafaquara në të.
Ajo që varet nga ne mund të ndreqet apo të prishet varësisht nga cilësia e ekipës negociatore dhe nga gjendja e shtetit në ndërkohë.
E cilësia e ekipës negociatore ndërkaq varet nga konsensusi paraprak politik, përvoja dialoguese e anëtarëve politik si dhe nga kontributi i ekspertëve të fushave relevante për procese të tilla negociatore.
Është e vërtetë se po të kishim institucione shtetërore me më shumë legjitimitet politik se sa që i kemi tani, do të ishte më mirë edhe për procesin negociator, por pjesëmarrja në negociata nuk do të duhej të kushtëzohej me atë se kush është në opozitë e kush në qeveri. Pastaj, edhe po të pranonte faktori ndërkombëtar që dialogu të ndërpritet për shkak të zgjedhjeve parlamentare eventuale të cilat po i kërkon një pjesë e opozitës kosovare, gjë që është e vështirë të besohet, pasi që kjo jo vetëm që do të mund të shkaktonte vonesa të paparashikueshme në formimin e institucioneve pas zgjedhore, por edhe legjitimiteti i tyre përsëri do të mund të kontestohej nga opozita cilado qoftë ajo. Për më tepër, që institucioneve aktuale të BE-së po u ngutet me dialogun serbo-kosovar për shkak të zgjedhjeve të tyre që po afrojnë.
Edhe pse është e dëshirueshme që të shmanget diskursi dramatik mbi këto zhvillime politike, një gjë besoj duhet thënë, se në proceset dialoguese të deritanishme me Serbinë, ne nuk kemi pasur dhe besoj nuk do të kemi në radhët tona negociatorë, politikanë apo ekspertë të cilët kanë punuar apo do të punojnë kundër interesave të shtetit tonë.
Nëse Serbia ka përfituar më tepër prej dialogut në Bruksel, kjo ka ndodhur, jo pse negociatorët e tyre ishin më të përgatitur dhe as pse elita e tyre aktuale politike është më e mirë se sa ajo kosovare, por pse rrethanat e politikës botërore tash e një kohë janë të tilla që e favorizojnë pozicionin politik të Serbisë në raport me Kosovën e në këtë drejtim nuk kanë munguar as vonesat dhe gabimet e politikës tonë.
Kosova është çliruar në saj të bashkërenditjes politike me SHBA-të dhe Europën dhe në atë drejtim edhe ka vazhduar me proceset e shtetformimit dhe të integrimit të saj në NATO dhe BE, anëtare e të cilave synon të bëhet, dhe po në këtë rrugë edhe pritet që të vazhdojë duke i marr për bazë këshillat e SHBA-ve dhe vendeve mike europiane, duke marr pjesë në procese e jo duke u zmbrapsur nga to pavarësisht se sa sfiduese dhe të vështira duken, me mirëkuptim brenda-nacional dhe pa vonesa të panevojshme të cilat mund të shkaktojnë dëme afatgjata dhe vështirë të riparueshme.