53 mijë e 552 studentë me të drejtë vote të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” pritet që sot duke filluar nga ora 7:00, t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur anëtarët e Këshillave të Fakulteteve dhe anëtarët e Parlamentit të Studentëve.
Të drejtë vote kanë të gjithë studentët e UP-së të cilët e kanë regjistruar vitin 2013/2014, derisa për të votuar, me vete duhet ta kenë Indeksin ose ID-kartelën dhe letërnjoftimin, thuhet në një njoftim të publikuar në ueb-faqen e UP-së.
Në garë për zgjedhjet studentore në UP janë 15 organizata studentore.
Rezultatet preliminare pritet të shpallen më 30 maj 2014, kurse, ato përfundimtare më 3 qershor 2014. Llogaritja dhe ndarja e mandateve pritet të bëhet me 5 qershor 2014, konstituimi i Këshillave Studentorë dhe Parlamentit të Studentëve pritet të bëhet më 9 deri më 13 qershor 2014 kurse konstituimi i Parlamentit të Studentëve më 16 qershor 2014.
Studentët mund të votojnë duke filluar nga ora 7:00 deri në 19:00.