(2L ONLNE) – Në prani të mbi 500 bujqve të Komunës së Gjilanit, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë ka shpalosur platformën për Bujqësinë për vitin 2015, ku i pranishëm ka qenë shefi i Kabinetit të kryetarit Haziri, Arbër Ismajli, drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramdani, si dhe zyrtarë komunal e përfaqësues të bizneseve prodhuese gjilanase.
Në emër të kryetarit Haziri ka folur shefi i Kabinetit Arbër Ismajli, i cili tha për vitin 2015 Komuna e Gjilanit ka ndarë afro 1.3 milionë dhe kjo është dëshmia më e mirë se ky sektor vazhdon të jetë prioritet i qeverisjes Haziri.
“Në emër të kryetarit Haziri ja falënderoj për pjesëmarrjen kaq të madhe këtu dhe kjo flet për angazhimin e drejtorisë së Bujqësisë dhe kryetarit Haziri për këtë sektor për vitet në vijim, i cili është sektori më i rëndësishëm të Komunës së Gjilanit. Këtë vit, Komuna ka investuar rreth 300 mijë euro në këtë sektor sepse pas marrjes së pushtetit e kemi pasur një vit të rëndë shkaku i borxheve të trashëguara, por pas shumë përmirësimeve dhe insistimit të drejtorit Ramadani që sektori i bujqësisë të jetë njëri ndër sektorët me prioritet të qeverisjes Haziri, mund t’ju them lirisht që planifikohet të ketë investime për vitin që vjen rreth 1 milion e 300 mijë euro”, ka thënë Ismajli.
Drejtori i Bujësisë, Ramiz Ramadani, tha se gjatë këtij viti ka pasur sfida e suksese dhe me të gjitha kapacitetet komunale Komuna ia ka dalë që të subvencionoj të gjithë bujqit që kanë aplikuar.
Në shpalosjen e programit për të bujqësisë për vitin 2015, Ramadani tha se Drejtoria e Bujqësisë ka në program subvencionimin e sektorit e prodhimtarisë blegtorale, atë të bletarisë, do të shpërndahen makina elektrike për qethje të deleve, stabilimente për rregullimin e thundrave te lopët qumështore, pastaj është projekti i llaktofrizëve për ruajtjen e qumështit.
Poashtu, Ramadani paralajmëroi se për vitin 2015 ka në projekt furnizimin e blegtorëve me 100 krerë lopësh, rregullimin e tregut të kafshëve, impakti i projekteve në prodhimin shtazor, ndërkohë që do të ketë subvencione në sektorin e prodhimtarisë bimore, subvencionimi i fermerëve me foli plastike, pastaj subvencionimi me farë misri, farë gruri për të vazhduar me subvencione edhe në konstruksione metalike në serra, në mekanizëm bujqësor si: rotofrezë për traktor, atomizer për spërkatje, pa e harruar edhe sektorin e pemëtarisë.
Ramadani theksoi se edhe në vitin 2015 do të vazhdoj projekti i ndërtimit të rrugëve të arave, në mënyrë që bujqit ta kenë më të lehtë qarkullimin për t’i punuar tokat.
Para të pranishmëve ka folur edhe Lavdim Berisha, zëvendës menaxher i shërbimeve të “Procredit bank”, i cili vazhdimisht ka përkrahur aktivitetet komunale, duke thënë se edhe më tutje do të mundohemi që në plan të parë të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë bujqit, duke e ditur se bujqësia është sektori që gjeneron më së shumti mirëqenie dhe me zhvillimin e bujqësisë./2L ONLINE/