(2L ONLINE) – Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan me aktivitete të shumta në të gjithë sektorët, por edhe efektive karshi qytetarëve gjilanas kur merret parasysh puna e madhe që është bërë në mbështetje të rasteve sociale – mbi 200 familje u shpërndahen pako ushqimore, mbështetjes shëndetësore për më shumë se 350 raste dhe punë të tjera dhe të rëndësishme në shëndetësinë primare.
Me këtë rast, U.D. Mursel Zymberi, ka thënë se aktivitetet e drejtorisë janë të shumta duke përfshirë të gjithë sektorët e saj.
“Jemi duke punuar në zbutjen e vështirësive të familjeve me gjendje të rëndë ekonomiko – sociale. Në kuadër të kësaj ne kemi ndihmuar rreth 200 familje me pako ushqimore të cilat i kemi siguruar përmes një donatori – bashkatdhetari nga Zvicra, në mënyrë që edhe këto familje të kenë më të lehtë në festën e Kurban Bajramit. Po ashtu drejtoria e shëndetësisë ka ndihmuar mbi 350 raste me barëra dhe trajtim shëndetësor – rehabilitim, brenda dhe jashtë vendit, këto i kemi arritur në bashkëpunim me zyrën e kryetarit të Komunës”, ka thënë ndër të tjerash Zymberi.
Ndryshe, kjo drejtori është duke vazhduar me mbështetjen e rasteve sociale, rasteve shëndetësore, është duke punuar edhe në shëndetësinë primare, ndërsa po vazhdon përgatitjen për projektin e dimërimit por edhe në evidentimin e rasteve të rënda dhe pa kulm mbi kokë në mënyrë që të nis rregullimi i shtëpive të tyre dhe zgjedhja e problemit të banimit.