Ata thanë se gjatë kësaj periudhe, janë bërë qindra fletëparaqitje ndaj prerësve ilegal në gjykatë, e cila sipas tyre deri sot nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim konkret.
Kështu është shprehur Nazmi Rapuca, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë (DBP), i cili ka shprehur vendosmërinë e komunës për t’i thënë stop njëherë e përgjithmonë kësaj dukurie, e cila më parë, kur pyjet ishin kompetencë e qendrës, ishte bërë shqetësuese.
Ai u shpreh i bindur që rezultatet e punës në këtë sektorë janë të prekshme dhe kjo dukuri është zvogëluar dukshëm, nga një dukuri shqetësuese që ishte më parë.
“Gjatë dy muajve të fundit, që kur komuna ka marrë kompetencat për ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve, në komunën e Gjilanit janë konfiskuar mbi 300 metra dru nga prerësit ilegal të pyjeve”, tha drejtori Rapuca, duke e përshkruar këtë si sukses që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
Për më tepër, ai tha se është i bindur, që prerësit ilegal të pyjeve, kanë marrë mesazhin e qartë, se nuk do të tolerohet prerja ilegale e pyjeve dhe se ajo i përket të kaluarës. Ai tha se në disa raste, veçmas tek përsëritësit, janë konfiskuar edhe mjetet transportuese.
Drejtori Rapuca i cili në shumë raste edhe vet del në terren, nuk është shprehur i kënaqur me punën e gjykatave. “Me policinë jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi, por jo edhe me gjykatat, nga të cilat deri sot nuk kemi ndonjë veprim konkret”, tha drejtori DBP-së, Nazmi Rapuca.
Sipas tij, me kërkesë të Drejtorisë së Kulturës dhe asaj për Mbrojtje dhe Shpëtim, këtyre drejtorive do t’u jepen disa nga drutë e konfiskuar, sikur që një pjesë e druve të konfiskuara janë dërguar te shkolla në Lagjen e Zabelit, te shkolla fillore “Abaz Ajeti” dhe te shkolla “Selami Hallaqi”, derisa pjesa tjetër e druve të konfiskuara gjendet tek stacioni grumbullimit të druve.
Rapuca tha se për 25 mijë hektarë pyje në komunë e Gjilanit, shumica e të cilave i përket sektorit privat, kujdesen vetëm 12 roje të pyllit të cilat në mjaft raste kërcënohen, fyhen, nuk respektohen nga prerësit ilegal të pyjeve, pos në rastet kur del policia në vendngjarje.
Sipas tij, të gjitha rasteve të prerësve ilegal të pyjeve, u janë bërë kallëzime penale në Gjykatë, ku gjithashtu janë dërguar edhe qindra fletëparaqitje tjera. Ai tha se janë dhjetëra prerës ilegal të pyjeve, që kanë nga dhjetëra fletëparaqitje e kallëzime, duke përmendur me këtë rast, qytetarin me inicialet V.B nga Gadishi, i cili ka 31 fletëparaqitje, derisa gjykata nuk ka ndërmarrë asgjë as ndaj tij e as ndaj shumë prerësve ilegal që kanë nga dhjetëra fletëparaqitje.
Drejtori Rapuca tha se komuna, gjegjësisht drejtoria që udhëheq ai është mobilizuar plotësisht dhe në bashkëpunim me komunën, por edhe qytetarët, është e vendosur në vendin e ligjshmërisë në këtë sektor, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë prerjes ilegale të pyjeve./2lonline)