(2L ONLINE) – Mbi njëzet zyrtarë komunalë në Gjilan kanë përfunduar me sukses kursin e gjuhës shqipe dhe serbe, faza e dytë, për të lehtësuar komunikimin me palë dhe ndërmjet vete në gjuhët zyrtare në Kosovë. Organizatori ka ndarë të martën certifikatat për vijuesit e kursit.
Projekti është organizuar nga Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe OSBE-në dhe Gjilani ka qenë njëra ndër 14 komunat përfituese. Siç dihet, Kosova e ka pranuar diversitetin kulturor dhe njeh të drejtën e qytetarëve të saj për përdorim të barabartë të gjuhëve zyrtare.
Drita Klaiqi, zyrtare për barazi gjinore, tha se dikujt mund t`i duket e pabesueshme që edhe ajo ka ndjekur kursin e gjuhës shqipe, por sqaroi se në Mal të Zi, shtetin ku ka lindur, ka qenë e detyruar që shkollimin ta bëjë në gjuhën serbe.
“Sikur të ishte respektuar ligji për përdorimin e barabartë të gjuhëve edhe në Mal të Zi, në kohën time, atëherë unë nuk do ta kisha sot këtë nevojë, por ja që nuk ka ndodhur kështu dhe unë në këtë moshë, pak vite para pensionimit, më duhet të ndjek kurse për të mësuar gjuhën time amtare”, ka thënë ulqinakja Drita Klaiqi.
E kënaqur që ka arritur të përvetësojë komunikimin bazik në gjuhën shqipe u shpreh edhe Dushanka Stanojkoviq, zyrtare komunale. “Jam e kënaqur me kursin, sepse këtu kam mësuar gjera që nuk i kam ditur”, ka thënë ajo. Kurse Musa Kamberi tha se ne jetojmë në një hapësirë multietnike dhe kemi nevojë për komunikim në gjuhët e njëri-tjetrit.
Organizatori tha se ata janë të gatshëm për të vazhduar me nivelet tjera të kursit për mësimin e gjuhëve zyrtare në Kosovë, vitin e ardhshëm, nëse vlerësohet e nevojshme. /2L ONLINE/