Në Kamenicë, Drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku, ka mbajur dëgjimin buxhetor me Grupin e tretë të Grave.
Pjesëmarrës në këtë dëgjim ishin: Drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku, Drejtoresha e Drejtorisë së Administratës, Arlindë Sejdiu, Nënkryetarja nga Komunitetet, Aleksandra Jovanovic, Koordinatorja për të Drejtat e Njeriut, Nazmije Demolli, Asambleistja, Arbnore Beqiraj, zyrtarë të tjerë komunal përgjegjës për mbajtjen e dëgjimeve buxhetore, gra nga fshatrat për rreth.
Drejtoresha Ardita Dërmaku ka hapur këtë dëgjim duke thënë se është koha që gratë të paraqesin kërkesat dhe nevojat e tyre, në mënyrë që ato që janë më me prioritet të shqyrtohen dhe të vendosen në projekt buxhet.
“Kështu kemi punuar edhe vitin e kaluar mirëpo me gra kemi organizuar vetëm një dëgjim. Këtë vit e kemi paraparë të zgjerojmë rrethin dhe të vijmë ne këtu dhe në lokalitete tjera t’i dëgjojmë gratë. Këtë vit kemi organizuar tri dëgjime buxhetore me grupet e grave. Kemi një rritje të buxhetit prej 17,48% krahasuar me vitin 2023, saktësisht 14 milion e 546 mijë e 545 euro është për vitin 2024. Pra kemi rritje tek investimet kapitale por edhe tek subvencionet. Nëse nuk jeni të njoftuara desha edhe të iu njoftoj që në QKMF së shpejti do ta keni në dispozicion gjinekologun tri herë në javë. Po ashtu edhe për mamografin e keni në dispozicion andaj ju lutem shfrytëzojeni”, ka thënë ajo.
Edhe nënkryetarja për Komunitete Aleksandra Jovanovic u ka bërë thirrje grave në këtë takim t’i paraqesin kërkesat e tyre.
“Sot me kolegët e mia po i dëgjojmë prioritet dhe kërkesat tuaja sa i përket planifikimit të buxhetit për vitin 2024, dhe të gjitha ato kërkesa tuaja janë të mirëseardhura për Komunën tonë”, është shprehur ajo.
Kërkesat që gratë paraqiten kishin të bëjnë me: asfaltim të rrugëve, trotuar, ndriqim, çerdhe, mosmbyllja e Shtëpisë së Shëndetit në Roganë.
Të gjitha kërkesat e tyre u evidentuan dhe ato më me prioritet do të inkorporohen në projekt buxhet. /2LONLINE/