Komisioni për Administrimin e Prokurorive, i udhëhequr nga prokurori Veton Shabani, ka mbajtur takimin e radhës, të parin për vitin 2023.
Në fillim të këtij takimi, anëtarët e Komisionit, kanë thënë se do të kërkojnë nga kryeprokurorët, administratorët dhe shefat e shkrimorëve të prokurorive që të zbatojnë me përpikëri rekomandimet e Grupit punues për monitorimin e zbatimit të SMIL-it, me ç’rast do të kërkojnë nga ana e tyre raportim të vazhdueshëm lidhur me aktivitetet e realizuara që kanë të bëjnë me implementimin e SMIL-it.
Po ashtu, u tha se çdo mosangazhim lidhur me kërkesat e lartcekura do të pasojë me veprime disiplinore ndaj çdo përgjegjësi eventual.
Sipas anëtarëve të Komisionit, qëllimi kryesor i ndërmarrjes së këtyre veprimeve është ngritja e kualitetit të këtyre të dhënave, pasi që largimi i regjistrave fizikë, që është objektiv i Këshillit Prokurorial të Kosovës, mund të arrihet vetëm kur kemi zbatim të saktë dhe të plotë të SMIL-it.
Komisioni për Administrimin e Prokurorive gjatë këtij takimi ka diskutuar për Planin e vet të punës për vitin 2023 dhe për Raportin e punës së vitit 2022. /2LONLINE/