OJQ “Llulludi” në bashkëpunim me Njësinë Komunale për të Drejtat e Njeriut dhe me mbështetjen e OSBE-ka mbahtur punëtorinë sensibilizuese me temën “Dhuna në familje me të rinjtë e komunitetit Rom”, e organizuar në kuadër të fushatës globale 16 Ditë të Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Grave.
Punëtoria u hap me fjalimet përshëndetëse të Shpëtim Mustafës nga OSBE-ja dhe Renat Redzepit nga OJQ “Llulludi”, të cilët theksuan rëndësinë e aktiviteteve sensibilizuese për luftimin e dhunës në familje.
Nazmije Demolli Kastrati, Koordinatore e Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje (MKKDhF) dhe Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut (NJKDNJ) në Kamenicë, foli për rolin kyç të Mekanizmit Koordinues në trajtimin dhe parandalimin e dhunës. Ajo theksoi rëndësinë e arsimimit të të rinjve nga komuniteti Rom, duke rekomanduar që ata të shkollohen si një hap i rëndësishëm për integrimin më të lehtë në shoqëri dhe fuqizimin e tyre.
Toger Nazmi Hoti, Shef i Njësisë së Hetimeve në Stacionin Policor të Kamenicës, kontribuoi me përvojën e tij në trajtimin e rasteve të dhunës nga Policia e Kosovës, duke diskutuar sfidat dhe përparësitë e hetimeve në raste të tilla.
Rifat Hajdari, Drejtor i Qendrës për Punë Sociale, prezantoi qasjen e QPS-së në trajtimin e rasteve të dhunës dhe shërbimet që ofron kjo qendër për viktimat dhe familjet e tyre.
Mirsije Ajvazi, nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas, informoi pjesëmarrësit për shërbimet ligjore falas që janë në dispozicion për të mbështetur viktimat e dhunës, duke theksuar rëndësinë e ndihmës ligjore për fuqizimin e tyre.
Kosovare Maroca Berisha, Zyrtare për Barazi Gjinore, diskutoi përpjekjet institucionale dhe politikat që promovojnë barazinë gjinore, duke e vënë theksin në rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të komuniteteve lokale për çështjet gjinore.
Në fund të punëtorisë, organizatorët falënderuan Misionin e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme në çdo proces në të mirë të qytetarëve, duke theksuar rolin e rëndësishëm të këtij misioni në promovimin e të drejtave dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Ky aktivitet nënvizoi përkushtimin e institucioneve dhe organizatave vendore për të mbrojtur të drejtat e grave dhe për të promovuar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë në Kamenicë. /2LONLINE/