/2L ONLINE/ – Nën organizimin e Ministrisë së Financave dhe në bashkëpunim me misionin e OSBE-së dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, sot në Gjilan është mbajtur Forumi me autoritetet e Komunave Gjilan, dhe komunave të këtij regjioni mbi zhvillimin e procesit të planifikimit buxhetor komunal 2017-2019.
Gjatë këtij forumi zv.ministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi, por edhe udhëheqësit e komunave pjesëmarrëse kanë diskutuar për sfidat kryesore, pastaj çështjet e komunave që lidhen me procesin buxhetor, për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi financat e pushtetit lokal, për komunikimin dhe bashkëpunimin e Ministrive të linjës me Komuna, si dhe për mbështetjen e organizatave-institucioneve ndërkombëtare.
Zv.ministri Krasniqi, ka thënë në fjalën e tij se parimet mbi të cilat janë bazuar projeksionet buxhetore 2017-2019 janë bërë duke marrë për bazë buxhetin e vitit paraprak, por gjithashtu ka kërkuar nga komunat që të bashkëpunojnë në zhvillimin e konceptit për një zhvillim ekonomik lokal të qëndrueshëm në dritën e ndryshimeve të pritura sa i përket ligjit të financave të pushtetit lokal.
Ai gjithashtu ka potencuar edhe vendimin e qeverisë së Kosovës për buxhet shtesë për Komunat të cilat kanë numër të banorëve deri në 22 mijë banor, në mënyrë që të kenë më të lehtë funksionimin dhe dhënien e shërbimeve më të mira për qytetarët e tyre, por edhe mirëmbajtje të projekteve të realizuara.
Ndërsa nga ana e tij përfaqësuesi i OSBE-së, misioni në Kosovë, ka thënë se OSBE është mbështetëse dhe përkrahëse e planifikimit të buxhetit, duke potencuar se është shumë i rëndësishëm buxheti, ku ekziston planifikimi për shërbime të mira të qytetarëve, pastaj buxhetim gjinor, planifikim për mbështetje të projekteve në lokalitetet me pakica etnike dhe buxhetim për zhvillim të komunave në fushën e shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe infrastrukturës publike.
Nga ana e tij nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, ka thënë se Komuna e Gjilanit buxhetin është duke e planifikuar konform kërkesave dhe përshkrimit të qeverisë së Kosovës, duke respektuar kriteret dhe kufijt buxhetor, mirëpo në të njëjtën kohë Kadriu ka thënë se planifikimi është bërë edhe me dëgjime publike të cilat ende janë duke vazhduar nëpër fshatra dhe lagje të qytetit, në mënyrë që kërkesat e qytetarëve të jenë të përfshira në buxhetin e vitit 2017 dhe planifikimit të hershëm për vitin 2018 dhe 2019.
Kadriu pos tjerash ka thënë se është e nevojshme edhe më tutje një pavarësi më e madhe për Komunat në bartjen e mjeteve nga një kod në tjetrin kod buxhetor, por edhe mundësinë që të rritet edhe më tutje ky buxhet dhe granted qeveritare, ngase nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Gjilanit dhe të Komunave në përgjithësi janë shumë më të mëdha se sa buxheti aktual.
Edhe udhëheqësit e Komunave të tjera janë paraqitur me fjalë rasti në këtë forum, duke kërkuar buxhet shtesë, kryesisht për mirëmbajtje të projekteve të realizuara, por edhe dhënie më të mirë të shërbimeve për qytetarët e tyre.
Ndryshe gjatë muajit shtator, Komunat e Kosovës aprovojnë buxhetin për vitin 2017 dhe të njëjtin e dërgojnë në Ministri të Financave për zyrtarizim në Kuvenditn e Republikës së Kosovës. /2L ONLINE/