Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, dhe në bashkëpunim me OVL UÇK-në, Dega në Dardanë, sot është mbajtur Akademi Përkujtimore në nderim të veprës dhe sakrificës së Heroit Isa Kastrati.
Familjarë, miq e bashkëluftëtarë sot kanë përkujtuar e mirënjohur veprën e Isa Kastratit.
“Isa Kastrati na dëshmoi se kur është në pyetje dinjiteti i kombit, vetëm flijimi është kufiri, e pikërisht për kombin dha jetën. Ngritja e kësaj shtatore është një privilegj i madh për ne, pasi duke nderuar heronjtë e kësaj toke nderojmë veten, nderojmë të kaluarën mbi të cilën është ndërtuar e tashmja!”-ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ai ka shtuar se ky moment duhet të jetë një frymëzim për të gjithë ne, dhe të na mbajë të lidhur me kujtimet e të kaluarës sonë, të na mundësojë të reflektojmë mbi rrugëtimin tonë historik, por edhe të na motivojë për të punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.
Menjëherë pas Akademisë Përkujtimore është bërë edhe zbulimi i shtatores së Isa Kastratit në sheshin e qytetit “Metush Krasniqi”. /2LONLINE/