Policia e Kosovës, njësitet e specializuara kundër krimeve ekonomike dhe antikorrupsion, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka organizuar një ligjëratë me temën: “Luftimi i veprave penale të korrupsionit”.
Para studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe pjesëmarrësve të tjerë, Kapiten Luan Ibrahimi, shef i hetimeve kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë dhe Toger Afrim Krasniqi, Shef i hetimeve kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjilan, kanë folur rreth mekanizmave të luftës kundër korrupsionit në Kosovë dhe aspektet operacionale të punës .
Në ndërkohë ata kanë informuar të pranishmit mbi misionin, mandatin, rolin dhe përgjegjësitë e Agjencisë Kundër Korrupsionit, praktikat dhe procedurat e punës në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe aspektet e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve me organizata dhe institucionet tjera.
Gjatë kësaj ligjërate është folur edhe për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet institucioni në kryerjen e detyrave brenda përgjegjësive të përcaktuara me ligj.
Nga ana tjetër , studentët e UKZ-së janë interesuar për tema të ndryshme që ndërlidhen me korrupsionin, bashkëpunimin me institucionet e tjera, procedurat hetimore, trajtimin e rasteve, etj.
Kjo ligjëratë është realizuar në vazhdën e aktiviteteve, “Java Anti-Korrupsion”, që ka filluar nga data: 09.12.2018 dhe do të zgjasë deri më 14.12.2018, që ka për qëllim zgjerimin e partneritetit me institucionet akademike që ka për synim rritjen e standardeve profesionale përmes një bashkëpunimi të planifikuar, si dhe veprimtarive për ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e luftimit të korrupsionit.
Përndryshe, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se interesimi ka qenë jashtëzakonisht i lartë,ku shihet se ekziston një gatishmëri e lartê që “Korrupsioni”, kjo dukuri shkatërruese për shoqërinë do të luftohet dhe goditet nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Përndryshe, ai ka bërë me dije se Po;icia e Kosovës në bashkëpunim edhe me UBT-në, ka organizuar ligjëratën publike lidhur me “Luftimin e veprave penale te korrupsionit” edhe në objektin e Kolegjit “Arbëri”, po në Gjilan.
“Policia e Kosovës do të jetë e pa kompromis në këtë drejtim dhe së bashku me faktor tjerë relevant do të punojmë për krijimin e një ambienti prosperues për të gjithë dhe për Zero tolerancë ndaj “Korrupsionit dhe krimit” ka thënë Hashani.