Ditë më parë u promovua libri “SHML e Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan 2012-2022”, i autorit mr.sc. Avni Xh. Behluli. Në ndërkohë, Roland Masurica, drejtor i kësaj shkolle ka thënë se publiku ka nevojë për informacion qartësuese andaj, atij si i pari i shkollës, i duhet të jap sqarime se monografia në fjalë nuk është produkt i shkollës, por është publikimi individual.
Për më tepër, Masurica thotë se për Këshillin Drejtues të Shkollë, libri nuk përfaqëson qëndrimin e shkollës së Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan dhe se shkolla dhe organet e saja janë duke përgatitur monografinë kuptimplotë të saj në bashkëpunim me organet dhe redaksinë botuese.
Për në tepër, drejtori i shkollës thotë se në lidhje me këtë ka reaguar edhe publikisht Këshilli Drejtues i Shkollës së Arteve Pamore “Adem Kastrati” – Gjilan.
Masurica përcjellë reagimin e këtij këshilli si organi më i lartë vendimmarrës i shkollës së Arteve Pamore në të cilën thuhet se monografia është edhe projekt shkencor e bazuar në vullnet dhe bashkëpunim me organet dhe rrethin ku vepron.
“Për kundër shumë insistimeve nga menaxhmenti i shkollës në mbledhjet e mbajtura të aktivit profesional më datë: 27.04.2021 dhe 19.05.2021, që autori t’i konsultoj këshillin drejtues të shkollës, aktivin profesional, këshillin e arsimtarëve dhe këshillin botues, ai, prapë ka refuzuar të bashkëpunoj duke u thirrur në atë se projekti është individual/personal”, thuhet në reagimin e Këshillit në fjalë.
Për këtë veprim, Masurica thotë se paraprakisht kanë qenë të njoftuar, Kryetari i Komunës, DKRS dhe DKA.
“Shkolla dhe organet e saja janë duke përgatitur monografinë kuptimplotë të saj në bashkëpunim me organet dhe redaksinë botuese. Shkolla dhe organet e saja, po shqyrtojnë këtë situatë me vëmendje dhe kujdes duke u mbështetur në kontekstin etik, profesional e institucional”, përcjellë reagimin e Këshillit në fjalë, drejtori i shkollës Roland Masurica. /2LONLINE/