Masivitet i jashtëzakonshëm është parë të mërkurën në nënshtabin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Dobërçan, në mobilizim të elektoratit dhe unifikim, si parapërgatitje për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.
Kryetari i Shtabit Zgjedhor të Degës së LDK’së në Gjilan, Arben Mehmeti, ka deklaruar se Dobërçani është shembulli më i mirë i unitetit dhe mobilizimit drejt sukseseve të mëdha më 8 tetor.
Ndërkaq, kryetari i nënshtabit të Dobërçanit, Naser Arifi, ka thënë se nuk dyshon në fitoren e LDK’së, pasi sipas tij, është dëgjuar zëri i elektoratit me nominimin e Vjosa Osmanit për kryeministre.
Ai theksoi se lista e LDK’së në përgjithësi ka përgatitje të jashtëzakonshme intelektuale, duke thënë se, mbi të gjitha, janë njerëz me duar të pastërta.
Një fjalë përshëndetëse dhe falënderuese kanë shprehur edhe kandidatët e LDK’së së Gjilanit për deputet, Fatmir Rexhepi, Valentina Bunjaku Rexhepi, Imet Rrahmani dhe Faton Bislimi.
Ata thanë se potenciali i LDK’së në këto zgjedhje do ta nxjerrë këtë parti fituese të madhe, duke theksuar se me qeverisjen e partisë së Ibrahim Rugovës, përfundimisht do të ndalet trendi negativ dhe katandisja e Kosovës, e shkaktuar nga rivalët politik.