Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës (PK), togeri Ismet Hashani, bëri të ditur se policia është në kërkim e të dyshuarës, e cila e mashtroi një gjilanase me fall, pasi rasti është paraqitur nga ankuesja, S.G,(36), e cila kishte deklaruar se në shtëpinë e saj kishte ardhur një femër, rreth të pesëdhjetave, e cila ishte paraqitur fillimisht si lypse e më pas si fallxhore.
Zëdhënësi Hashani, tha se sipas ankueses, e dyshuara kishte arritur ta bind atë për fall, duke kërkuar fillimisht veshmbathje të burrit dhe fëmijëve e më pas edhe stoli ari, pra ajo iu ishte bindur të gjitha kërkesave të fallxhores.
Ai tha se ankuesja më vonë kishte kuptuar se ishte mashtruar dhe ka raportuar rastin në polici, pasi fallxhorja asaj i kishte marrë stoli në vlerë prej 750 euro dhe ishte larguar nga shtëpi në drejtim të panjohur.
Duke iu referuar deklaratave të viktimës të këtij rasti, e dyshuara është rreth 50 vjeçare, e dobët me gjatësi rreth 165 centimetra dhe sipas të folmes, dyshohet se është rome nga Shqipëria.
Togeri Hashani tha se policia ka nisur hetimin e rastit, ndërkohë që u ka bërë apel gjithë qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtruesve të ndryshëm dhe se të gjithë qytetarët që vijnë në kontakt me këta persona, menjëherë të thërrasin policinë në numrin 192, që mashtruesit të kapen nga policia dhe të përballen me drejtësinë. /2lonline/