Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se, në bazë të raportit të nxjerrë nga informatat e mbledhura në terren është vërejtur një avancim në procesin e administrimit të pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, e cila është mbajtur më 14 qershor 2022.
MAShTI, me këtë rast, falenderon Drejtoritë Komunale të Arsimit për bashkëpunimin dhe angazhimin e shtuar në eliminimin e problemeve gjatë procesit të mbajtjes së testit. Megjithatë, edhe këtë herë janë evidentuar disa probleme në disa Qendra të Testimit, si pasojë e mosrespektimit të udhëzimeve të hartuara nga MAShTI.
Problemet e evidentuara gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit; vonesa të administruesve në disa qendra të testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit.
MAShTI gjithashtu bën të ditur se, lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë marrë masat adekuate ndaj 2 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin celular dhe që janë evidentuar nga administruesit do t’u llogariten vetëm pikët nga lëndët në pjesën e parë të testit. /2LONLINE/