(2L ONLINE) – Pas sulmit të Gjilanit me 23 dhjetor te vitit 1944 nga njësitë shqiptare për mbrojtjen e kufirit, marrjes së qytetit nga ta, por edhe detyrimi për t’u tërhequr, nga se në Gjilan erdhën partizanët e aradhës së Shqipërisë të komanduara nga Shaban Spahiu, qyteti mbeti pa mbrojtje shqiptare dhe banorët shqiptar të Gjilanit përjetuan masakër të paparë. Këtë që do ta lexoni në vazhdim janë vetëm dy rrëfime trishtuese për ato ditë.
Shkruan: Ukshin Zajmi
Vrasja e parë publike në Gjilan:_Gjylishen Murati (Topalla)
Eleminimi i elementit shqiptar, e sidomos i atyre që kanë pasur ndikim e që ishin të shkolluar, ishte detyra e parë e udhëheqjes partizano-çetnike në Gjilan. Ata, për këtë qëllim edhe kishin hartuar lista, të cilat më përpikëri edhe i realizuan. I pari që u ekzekutua publikisht në Gjilan ishte Xhemë Topalla. Xhema në vitin 1938 kishte shkuar në Gjermani dhe atje kishte mësuar gjuhën gjermane. Nga Gjermani u kthye në vitin 1942 edhe ate në Leskoc si përkthyes. Dikund në vjeshtën e vitit 1944 erdhi në Gjilan dhe mbante një uniformë gjermane. Me tërheqjen e forcave gjermane nga Gjilani me 15 nëntor 1944 dhe eksplodimin e municionit të tyre në oborrin e sotëm të kazermës dhe para gaz-hanës, të nesërmen Gjilanin e morën partizano-çetnikët, të cilëve u prinin ushtarët bullgar. Xhema e hetoi rrezikun andaj u paraqit në një njësi partizane që ishte në rrethinën e Gjilanit, nga e cila u kthye në Gjilan, ku e kishte shtëpinë, në Dere Mahallë, por ne mëngjes, e rrethuan shtëpinë dhe Xhemën e arrestuan dy ushtarë.
Pasi e dërguan në burg Xhemen, Xhylisheni, që ishte 14 vjeçar, me nënen e vet e vizituan ate në burg. Aty panë se në burg kishte edhe shumë shqiptarë tjerë. Pas dy tri ditësh, në qendër të qytetit një Sllavko që i thoshin “Grobari”, e që ishte telall-lajmëtar, ftonte banorët për të marrë pjesë në ekzekutimin e Xhemës. Menjëherë dolën nëna e Xhemës, Xhylisheni dhe Ismajli që ishte 7-vjeçar, për të shikuar se ç’po bëhet. Rrugës e sillnin Xhemën e lidhur me pranga, i cili edhe ashtu i lidhur e i rrethuar nga partizanët brohoriste “Rroftë Shqipëria etnike” e parulla të tjara. Të gjithe, në turmë u drejtuan në drejtim të Livoqit të poshtëm dhe dolën jashtë qytetit, aty ku gjindet sot Spitali i Gjilanit. Aty u ndalen dhe Xhemës ia hoqen prangat dhe e larguan nja 30 metra larg turmës. Skuadra ekzekutuese përbëhej nga: Obrad Maksimoviq, Mice Gjorgjeviq, Viqiç Tomisllav, Cane Pushkari, Stojan Çanta-qorri, Ratko Ropoçani, Zhivko Cvetanoviqi, Dale Zafiroviq, Voja-sekretar në komunë dhe Branko vorbëtari.
Xhema kërkoi që të takohet me familjarë dhe u përshendet me Ismajlin, Xhylishenin dhe me nënen Hanife. Asaj të madhe i tha: “Nënë mos qaj, se me këtë gëzohen armiqët tanë”. Dhe u nda e shkoj në vendin ku ia kishin caktuar. Vllada Popoviqi, urdhëroi që Xhemës t’ia mbyllin sytë me një shami, por ai menjëherë e hoqi shaminë dhe më të madhe foli:”Shqiptar kam lindur-shqiptar do të vdes!” dhe pas kësaj Vllada urdhëroi: gjuani, dhe skuadra veproi. Xhema u përplas për toke, dhe pasi që skuadra u qetësua, Cane Pushkari shkoi drejt Xhemës dhe në te shkrepi edhe një plumb nga revolja. Përderisa unë dhe Ismajli u shkrehëm në vaj, thoshte Xhylisheni, nëna Hanife e mbajti fjalën që ia dha Xhemës dhe nuk e derdhi, më këtë rast, asnjë pikë loti.
Dhe, nuk u kënaqen vetëm me kaq. Të nesërmen erdhen në shtëpi dhe na i morën të gjitha teshat që i kishim, na e konfiskuan shtëpinë dhe dy dyqane në Gjilan. Nuk u kënaqën vetëm më kaq, por babën e Xhemës që ishte i sëmurë, e morën zhag dhe e çitën në rrugë e edhe ne antarëve të tjerë të familjës. Kështu për familjen tonë filloj katrahura e vështirë e jetës, na pat thënë Xhylishen Murati për një emision televiziv për TV MEN-in e Gjilanit.
Zdeshja e grave: Ali Kajtazi
Një ditë pas Luftës në qytetin e Gjilanit, të dielen, në Shillovë (muhaxhirët e Shillovës) erdhën nja 40 partizanë dhe i morën të gjithë meshkujt e moshës madhore dhe i ëitën në lëndinë para shtëpive, i lidhën dhe i ulën në gjunj. U thanë së do t’i pushkatojnë. Në një dhomë të shtëpisë, ku halla punonte në vek, një Vllada i familjes së Gjorgjeviqëve të Gjilanit (djalë i ri), 5 grave që ishin aty u kërkonte ari. Vetë u ul në drasën e vekut, mua më mori afër vetës dhe një dorë ma qiti në krah e në dorën tjetër mbante një bombë. Pasi ato pesë gra, katra më të moshuara e halla e re, e kundërshtuan duke u thënë se nuk kanë ari, ai i detyroi që t’i zdeshin dimijat e pastaj edhe brekët, duke u thënë se arin e keni mëshef në dimija e brekë. Pasi e mori vesh se në këtë pjesë të trupit nuk kishin mëshefur asgjë, atëherë i urdhëroj që të heqin edhe rrobat tjera. Mëqe ato kundërshtuan, atëherë ai u zgjua dhe ua shqeu këtë pjesë të rrobave, e pasi u bind se nuk kanë ari, ai i urdhëroi që të vishen e t’i dërgojnë te burrat për t’i pushkatuar. Unë dola i pari, dhe kur kam hapur derën e oborrit, i pash burrat e ulur në borë, në at moment nëna me ka rrëmbye për këmishe e më ka bërtitë me aq zë sa ka pasur duke me kthyer prapa. Vllada kur e pa këtë gjendje na ktheu mbrapa dhe tha se ju nuk po u pushkatojmë. Pas pak në obor ka hyrë xhaxhai i babës Tali, një burrë afro dy metra i gjatë. Atij një ushtarë i ka mëshuar me tytë të pushkës në bel dhe ai u përplas në tokë afër drurit të manit, duke thanë se më vrau bre!
Pas këtij maltretimi, që une e kam parë në shtëpinë time (maltretime ka pasë edhe në shtëpitë tjera), ata shkuan, duke i liruar edhe burrat. E dij se Tali nga ajo plagë, pas një shërimi prej një muaj e gjysmë, kuptohet në shtëpi, vdiq, na tha Ali Kajtazi.
Disa ditë më vonë, ne kishim një dasmë. Martohej Sabit Ramadani, i cili më vonë ka qëne polic dhe ate e kanë vra në komunë të Vitisë. Pasi e rregulluam qerren, duke e mbuluar me qilima u nisëm për në Gjilan. Ishim gjithsejt pesë veta:babai dhe nëna e Sabitit, mixha i Sabitit me grua dhe mua me ra të jem djali i qerrës. Për të qenë më të sigurtë, morem Stojan Gjokiqin e Shillovës që të na mbron. Ai ishte i armatosur. Gratë ishin në qerre, baba i Sabitit dhe mixha i tij u grahnin qeve, ndërsa unë dhe Stojani ecnim pas qerrës. Kur erdhem të shtëpia e nuses, dukund në rrugën e sotme për në tregun e gjelbërt, ata hynë brenda ndërsa unë e Stojani mbetëm jashtë, në rrugë. Stojani me mori mua dhe dolëm deri te shtëpia e sotme e mallrave. Aty ai më tregoi vendin ku e kanë mbytë haxhi Aliun, një plak nja 80 vjeç. Nëpër rrugë kishte vetëm njerëz të uniformuar (partizan) ndërsa të tjerë nuk kishte. Muret, të gjitha ishin të bëra vrima-vrima prej plumbave.
Pasi u kthyem te shtëpia e nusës, ata kishin dalur jashtë dhe u nisëm për në Shillovë. Pasi dolëm nga qyteti, Stojani me tha eja të shiqojmë diçka. Shkuam në të djathtë të rrugës, aty ku sot janë disa pisha në oborr të garnizonit, në një gropë që ishte bërë nga eksplodimi i municionit të Gjermanëve me 15 nëntor 1944. Aty, pash se ajo grope gati përgjysmë ishte e mbushur me kufoma njerëzish. Të gjithë ishin vetëm në këmisha dhe brekë. Gropa tjetër që ishte në të majtë të rrugës, ishte thuaja e mbushur plot me kufoma. Pasi ishte larguar qerrja bukur shumë, une dhe Stojani shpejtuam hapat dhe i arritëm e shkuam deri në Shillove. Më vonë, babës i tregova se çka kam parë aty, e ai më tha se prej atyre gropave ka shpëtuar vetëm një Idriz nga LLadova, i cili kishte qenë shok i ushtrisë së babait tim.
Rrëfimtar:
1. Xhylishen Murati-Topalla
2. Ali Kajtazi
Foto:
Xhylishen Murati
Ali Kajtazi