Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës në lidhje me dyshimet për krime lufte, të kryera apo urdhëruara nga figurat udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dick Marty, në një intervistë për radion zvicerane SRF ka thënë se deklarata e prokurorit Clint Williamson është e një rëndësie të jashtëzakonshme.
“Jo shumë kanë pritur rezultate kaq pozitive. Ambasadori Williamson flet për krime kundër njerëzimit. Ai e di se ç’domethënie kanë këto fjalë. Kjo që ka ndodhur sot është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Dëshmitarët nuk kanë besim në drejtësinë kosovare dhe as në gjyqësinë ndërkombëtare. Për këtë ekzistojnë arsye. Në disa procese dëshmitarët janë vrarë, zhdukur, kërcënuar. Edhe sot për dëshmitarët është vështirë të dëshmojnë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kurrë nuk e ka vënë në fokus tregtinë me organe, porse ka folur për raste të pakta.
“Unë kurrë nuk e kam vënë në fokus tregtinë me organe. Kam folur për pak raste. Williamson arrin në përfundimin e njëjtë”, i ka thënë Marty radios zvicerane, transmeton Koha.net.
Marty thotë se qytetarët e Kosovës meritojnë që të kenë udhëheqës me duar të pastra.
“Qytetarët e Kosovës meritojnë që në krye të vendit të vijnë gra dhe burra me duar të pastra. Deri më sot ndërlidhja mes politikës dhe krimit të organizuar ka qenë aq e madhe, saqë nuk ka qenë e mundshme të ndërtohet një administratë normale. Këtu edhe bashkësia ndërkombëtare ka një përgjegjësi të madhe”, ka thënë veç tjerash Dick Marty.