Sot në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, në prani të presidentit Agim Ademi, është nënshkruar marrëveshja e parë e sponsorizimit ndërmjet Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit dhe kompanisë së njohur vendore “RC Cola”. Marrëveshja është arritur ndërmjet pronarit të kompanisë “Royal Beverage”, Fejzullah Mustafa, dhe kryetarit të LRF Gjilanit, Armend Misini, njofton FFK.
Ky sponsorizim, i pari i këtij lloji për lidhjet rajonale, do të mbështesë të gjitha shkollat e futbollit që garojnë në kategoritë e fatosëve, pionierëve dhe kadetëve në regjionin e Gjilanit.
Marrëveshja do të nisë së zbatuari nga janari i vitit 2025, teksa synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e futbollistëve të rinj në këtë regjion.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e vlerësoi lart këtë marrëveshje dhe inkurajoi bizneset e tjera vendore që të ndjekin këtë shembull të mirë, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e futbollit në të gjitha rajonet e Kosovës.
“Falënderoj kompaninë ‘RC Cola’ dhe pronarin e saj, Fejzullah Mustafa, për këtë sponsorizim të rëndësishëm që do të fillojë në vitin 2025. Kjo marrëveshje është një shembull i shkëlqyer për mbështetjen e shkollave të futbollit dhe të fëmijëve tanë të talentuar. Përgëzoj gjithashtu kryetarin e LRF Gjilanit, Armend Misini, për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe për punën e mirë në vazhdimësi. Inkurajoj të gjitha bizneset tjera nëpër rajone të ndryshme të Kosovës që të përkrahin zhvillimin e futbollit për fëmijët dhe të ndihmojnë në krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë”, tha presidenti Ademi, njofton FFK. /2LONLINE/