Copëtimi dhe tragjedia shqiptare në aspektin politik, diplomatit dhe gjeostrategjik filloi dhe përfundojë në Londër para plotë 106 vitesh. Në tavolinën e madhe të konferencës, po prehej dhe copëtohej harta shqiptare, si pa të keq, pa u shqetësuar se në terren po vritej, gjymtohej, masakrohej dhe po eliminohej gjeni shqiptar.
Shkruan: Hajriz Sejdiu
Kjo tragjedi shekullore fillojë në dhjetor 1912 kur sapo kishte lindur një çerek shteti shqiptar, për të vazhduar në maj të 1913 – tës dhe për të përfunduar me 29. Korrik 1913. Ky përfundim tragjik i konferencës së ambasadorëve në Londër, ndau pjesët e përgjakura shqiptare në mes Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Dhe krejt kjo ndarje tragjike u bë në emër të ruajtjes së paqes në Evropë!
Londra, Brukseli, Parisi dhe tragjikja e krahasimit
Sot 106 vjet pas, ka një ngjasi në mes Londrës së atëhershme, Brukselit dhe Parisit të sotëm. Sepse loja, tallja, përçmimi i lirisë sonë dhe pavarësisë së fituar me gjak dhe sakrificë (edhe pse pavarësinë tonë e kanë pranuar më shumë se 100 shtete), fillojë në Vjenë për të vazhduar në Bruksel dhe përfunduar ku ta dijmë se ku?! Për dallim prej Lodrës ku shqiptarët kishin shfaqur shqetësimet e tyre para vendimmarrësve ndërkombëtar në mënyrë jo të organizuar dhe pa ndonjë ndikim domethënës, në Bruksel apo Paris do të shkojmë sis shtet ” Sovran dhe i Pavarur” , nëse mund të quhet kështu shteti i cili në tavolinën e bisedimeve, përpara ka pikërisht dilemën dhe mohimin e kësaj shtetësie dhe pavarësie, jo vetëm nga Serbia por edhe nga disa shtete të cilat na kanë pranuar ndër të parat. Fillimisht Brukseli kishte filluar si pa të keq me biseda të quajtura teknike, për të rrëshqitur në biseda politike e deri tek prekja e qenësishme e integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Kur kishte ndodhur Londra, para një shekulli e ca, nga katër vilajetet shqiptare në Shqipërinë Londineze mbeti vetëm një, bilës edhe kryeqyteti këtij vilajeti të vetëm në këtë çerek shteti, Shkodra u pushtua nga Mali i Zi për gjashtë muaj rresht. Po tani ? Cili është tagri që do të paguajnë shqiptarët (Kosova) për Brukselin apo Parisin (Evropën)?
Cili mund të jetë kompromisi i madh i radhës?
Ka disa muaj që opinioni shqiptar po ushqehet ose më thjesht po bombardohet me informacione për mundësitë e ndarjes, shkëmbimit ose korigjimit të territoreve me Serbinë, përmes bisedave të fshehta, dhe gjoja akordimit mes dy presidentëve, atij serb dhe ati Kosovar për këto çështje, po flitet për mospajtim të Gjermanisë, Anglisë dhe Francës, si dhe hezitimit Amerikan për këto opsione dhe po plasohen edhe informacione tjera që kanë për qëllim futjen e hutisë dhe mjegullimit të situatës në mënyrë që opinion të harxhojë energjinë duke u marr me gjëra të kota. As populli serb e as ai shqiptar në Kosovë, në përgjithësi e as faktori ndërkombëtar, nuk është i interesuar për ndonjë lloj ndarje apo shkëmbimi territoresh. Edhe më pak faktori vendimmarrës ndërkombëtar është i interesuar që të hap tema dhe plagë të ndarjeve, shkëmbimeve, dhe zhvendosjeve masive të popullatave serbe dhe shqiptare sepse, një praktikë e tillë, ose për më tepër ky precedent do të merrte hov jo vetëm në Ballkan por edhe në mbarë Evropën. Prandaj askush besoj, nuk është i interesuar ti futet një lloj aventure të tillë të pa parashikueshme. Por, qëllimi kryesor i bisedimeve për marrëveshjen finale, perveq autonomisë politike (asociacioni), me ingerenca të plota të një shteti brenda një shteti, është edhe shkëmbimi ose ndarja e territoreve. Kakofonia e zërave politikë shqiptarë rreth bisedimeve dhe marrëveshjes gjithpërfshirëse dhe përsëritja e sloganit se me marrëveshjen finale Kosova do të fitojë ulëse në OKB, është ogur i zi për Kosovën. Sepse çka na duhet karrige në O.K.B, ose thjesht çka i duhet një karrige e tillë Bosnjës? Asnjë karrige dhe në asnjë vend nuk na duhet kur në mes të shtetit tonë, krijohet një shtet serb ose kur humbim infrastrukturën kritike si ujin, energjinë (Ujmanin ) dhe xehet (Trepçën).
Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe gracka e kalit të drunjtë
“Laokoonti (greqisht: Λαοκόων, Latin: Laocoon) – prift i Apolonit në Trojë, është hero tragjik i ditës së fundit të luftës së Trojës”.
Rreth figurës së Laokoontit qarkullojnë legjenda të shumta, por ajo më famshmja që e prezanton më së miri historinë e tij legjendare e që njihet si version zyrtar, lidhet me Luftën e Trojës. Kur trojanët e futen brenda mureve të qytetit, kalin e famshëm, dhuratë – simbol i danajve për paqen e nënshkruar, Laokoonti dyshues për këtë dhuratë greke, e përshkoi kalin me një heshtë mes përmes dhe tha shprehjen e famshme “Timeo danaos et dona ferente”( i druhem danajve edhe kur bëjnë dhurata )“. Historikisht tërë popujt e botës në rastet vendimtare dhe gjatë përpjekjeve për ruajtjen e qenies së tyre, janë ndarë në dy grupe: në ata që favorizojnë dhe e pranojnë qëndresën si akt mbijetese dhe në ata që parapëlqejnë paqen dhe jetën e qetë pa brenga, qoftë edhe me humbje të mëdha, pa e kuptuar dhe ditur se, shpeshherë paqja dhe jeta e qetë e kërkuar me ngulm, është me pasoja fatale për popujt. Shembulli me përshkrues për këtë ndarje të popujve në dy grupe është historia tragjike e Trojës të cilën në mënyrë të shkëlqyeshme dhe të përkryer artistikisht e shtjellon Ismail Kadare në poezinë “Laokoonti“:
“kali i drunjtë, dhuratë e grekëve u shfaq.
Ky kalë në dy grupe i ndau trojanët:
ta pranonin atë, ose ta flaknin sakaq.
Pajtim me armikun, ulërinin tradhëtarët
mjaft më me luftë, zjarr edhe helme…………..
“Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte,
nga shtresat e mesme e gjer në qeveri.
Ishte vjeshtë.
Nën qiellin e hirnosur me erë
kali i drunjtë përjashta priste në shi”.
Sot, qytetari shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Luginë, Maqedoni dhe diasporë kërkon me të drejtë të dijë se, a është dialogu dhe marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi mashtrim i madh i radhës për shqiptarët, manipulim diplomatik, diplomaci e fshehtë (e ndaluar sipas akteve dhe normave ndërkombëtare), apo një ndër konspiracionet më të mëdha ndërkombëtare në Ballkan në këtë shekull?
Memorie!
Tash e gati 106 vjet, pikërisht me 29. Korrik 1913, në raportin e tij përfundimtar për Konferencën e Londrës, Lordi Grej, kishte thënë përafërsisht kështu se: për sigurinë dhe mirëqenien Evropiane, ambasadorët kishin gjetur kurbanin e sakrificës, e këta ishin shqiptarët dhe tokat e tyre. Tani në pragun e 106 vjetorit të tragjikes sonë, cili nga Lordët, ambasadorët, presidentët, apo sekretarët, vendor dhe ndërkombëtar do të na e japin kumtin e zi për sakrificën dhe kurbanin e radhës, duke na gënjyer se për ta siguruar paqen dhe mirëqenien në rajon, Evropë dhe më gjerë, shteti i ri i Kosovës i pranuar ndërkombëtarisht nga 100 e ca shtete, duhet të jep tokën e vet ose përndryshe në këtë shtet të ri, do të krijohet një shtet i “vogël serb” me gjithsejtë katër fshatra!