Politikanët tanë kanë dëshmuar se interesat personale, familjare e klanore, të miqve dhe ortakëve, i kanë mbi interesat e qytetarëve. Ata kanë krijuar të mira marramendëse për vete, në kohën kur mirëqenia e qytetarëve nuk ka qenë asnjëherë më e rëndë.
Xhylije Ibrahimi
Edhe unë, për gati njëzet vjet u kam besuar këtyre politikanëve. Jam munduar të bëhem e durueshme dhe t`i kuptoj vështirësitë e përgjithshme. Por, kur u binda se të tillët janë në gjendje të të mënjanojnë edhe nga e drejta e konkurrencës për një vend të thjeshtë pune, madje me mjete jo ligjore, u ndjeva e zhgënjyer thellë.
Përvoja të tilla kanë ndarë me mua, këtyre ditëve, një numër i madh i qytetarëve. Kjo më shtyri t`i futem garës politike. Ky vend ka nevojë për drejtësi.
Unë e kam dhënë shembullin personal, në vitin 2006, kur jam tërhequr nga vendi i punës në arsim, për t`ia liruar një gruaje, kundër kandidate, e cila kishte nevojë më shumë se unë. Për arsye etike, nuk do t`ia përmend emrin.
Gjykova si nënë, si grua, si familjare dhe lashë ditarin e shkollës vetëm një javë pasi kisha filluar.
Nuk jam penduar asnjëherë, as tani, 11 vite më vonë, kur u sfidova në mënyrë jo ligjore për një vend pune. E vetmja “arsye” pse u refuzova, ishte se kundër kandidati kishte lidhje të forta me politikën.
Në politikë po hyj për t`i mbrojtur interesat tuaja, jo për veten time. Ndoshta, as unë nuk do të mund t`i ndryshoj këto gjera, e vetme, por të paktën do të jem zëri juaj aty ku duhet. Nuk do të hesht kurrë, për asnjë çmim, asnjë privilegj, as nuk do të jem prej atyre këshilltarëve që mandatin tuaj e japin për një vend pune për vete.
Zgjedhjen e bini ju, prapëseprapë.
Sponsorizuar nga PD